Mbrojtja e Sekiraqës: “Sekiraqa Bar” u Bastis pa Urdhër Gjykate

Avokatët mbrojtës të Enver Sekiraqës i cili akuzohet nga prokuroria për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, pretendojnë se bastisja në lokalin “Sekiraqa Bar”, që pasoi vrasjen e Triumf Rizës në vitin 2007 u krye pa urdhër të gjyqtares së procedurës paraprake në atë kohë.

Bostjan Penko dhe Kosovare Kelmendi – avokatë të Sekiraqës i cili është deklaruar i pafajshëm për akuzën që e ngarkon, në seancën e sotme para trupit gjykues paraqitën pretendimin e tyre se provat e siguruara gjatë bastisjes në “Sekiraqa Bar” nuk mund të përdoren në këtë rast, pasi që janë siguruar pa urdhrin e gjyqtares së atëhershme Drita Hoxha.

Pikërisht për qëllim të qartësimit të kësaj rrethane, në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitares ishte ftuar Drita Hoxha, por ajo nuk u paraqit në seancë pasi që gjykatën e kishte informuar se gjendet në pushim vjetor.

Por  për dallim nga Hoxha, në seancë u paraqit prokurori i asaj kohe, Osman Mehmeti, i cili në ditën e vrasjes së Triumf Rizës më 30 gusht të vitit 2007 kishte qenë në vendin e ngjarjes.

Prokurori Mehmeti qysh në fillim të dhënies së dëshmisë së tij bëri me dije se di shumë pak gjëra lidhur me këtë rast.

“Mua data 30 nuk më kujtohet fare”, tha Mehmeti .

Lidhur me marrjen e urdhrave për bastisje ai tregoi se kur kishte rrethana të jashtëzakonshme, ose kur ndodhte ndonjë rast pas mbarimit të orarit të punës, urdhri nga gjykata merrej vetëm verbalist. Megjithatë, Mehmeti lidhur me rastin konkret nuk i kujtohej se a kishin marrë urdhër verbal apo jo.

“Nuk më kujtohet a kam marrë urdhër, për më tepër nuk më kujtohet se kush ka qenë gjyqtare e rastit, sepse prej atij viti kam dalë me mijëra herë në vendin e ngjarjes”, tha Mehmeti.

Pyetje ndaj dëshmitarit Mehmeti pati edhe mbrojtja e Sekiraqës. Në pyetjen e avokatit Penko se a duhet të shënohet marrja e urdhrit verbal nga Gjykata në procesverbalin e bastisjes që përpilohet nga policia, Mehmeti tha se  nuk e dinte.

“Policia  në afat prej 12 orësh e përpilon procesverbalin dhe e njofton gjyqtaren, por në këtë rast se a e kanë bërë apo jo nuk e di, sepse nuk jam marrë më me këtë rast”, u përgjigj Mehmeti.

Mehmetit iu parashtruan pyetje edhe nga avokatja tjetër e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi.

Kelmendi e pyeti dëshmitarin se pse ka ndodhur që në datën 30 gusht janë bërë dy bastisje, njëra në shtëpinë e Hamit Sekiraqës, në të cilën bastisje në procesverbal ishte shënuar se urdhri ishte marrë në mënyrë verbale, ndërsa në procesverbalin e bastisjes në lokalin Sekiraqa, nuk ishte shënuar se a ishte marrë urdhri në mënyrë verbale apo me shkrim?

“Ndoshta është bërë ndonjë gabim, apo ndonjë lëshim prej policisë që nuk e kanë shënuar”, u përgjigj Mehmeti.

Por Kelmendi e pyeti dëshmitarin se mbi çfarë baze po konstatonte se ishte bërë një gabim ose lëshim pasi që nuk ishte shënuar forma e urdhrit në procesverbalin e bastisjes në lokalin “Sekiraqa”.

“A është bërë ndonjë gabim apo lëshim prej policisë, e vlerëson gjykata, por ne çdo herë kur kemi qenë në vendin e ngjarjes e kemi thirr gjyqtaren në telefon dhe nëse nuk ka dhënë leje ne asnjëherë nuk kemi hyrë për bastisje”, u përgjigj Mehmeti.

Për më tepër, Enver Sekiraqa në këtë rast po akuzohet për nxitje në vrasje të policit Triumf Riza, akuzë për të cilën Sekiraqa është deklaruar se nuk është fajtor.

Seanca e radhës do të mbahet nesër.