Komisioni për Legjislacion Fuqizon Rolin e Rezolutave të Kuvendit

Komisioni për Legjislacion derisa miratoi sot Projektligjin për Kuvendin, fuqizoi në të rolin e rezolutave.

Anëtarët e këtij komisioni diskutimet për këtë projektligj i patën përfunduar në mbledhjen e 30 qershorit, ku e patën përkrahur tekstin e projektligjit, pa përfshirë nenin 5.

Riformulimet e këtij neni i prezantoi Armend Zemaj, ndërsa ato u mbështetën nga anëtarët e Komisionit.

Njëra nga riformulimet lidhej me rezolutat e Kvendit të cilat Zemaj tha se duhet të jenë obligative dhe të fuqishme.

Sipas tij, karakteri i rezolutës duhet të jetë obligativ dhe i fuqishëm.

“Mendoj se duhet të plotësohet që pika 4.1 [e nenit 5] të jetë: Rezoluta është akt obligativ i cili miratohet me votat e shumicës së deputetëve. Jo atyre që marrin pjesë në votim, por për të gjithë deputetët që i bie 61 vota.  Edhe karakteri i rezolutës në të ardhmen përpos që do të jetë obligativ do të jetë i fuqishëm,” tha Zemaj.

Ai shtoi se pikërisht pse Komisioni për Legjislacion dëshiron fuqizimin e rezolutave “të gjitha subjektet, grupet parlamentare duhet të kenë çështje konstruktive që jo për çdo gjë me paraqitë rezoluta”.

Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e Grupit Parlamentar të AAK-së e përshëndeti arritjen e pajtimit për fuqizim të rezolutave.

“E përshëndes konsensusin që çështja e rezolutës me fuqizu vetë rolin e Kuvendit. Besoj që është shumë konstruktive,” tha Kadaj-Bujupi.

Anëtarja e Komisionit Selvije Halimi nga PDK-ja tha se duhet të merret parasysh edhe mendimi i qeverisë për Projektligjin e Kuvendit dhe ai projektligj të amendamentohet pas leximit të parë.

“Meqenëse ne jemi në fazën kur e kemi hartuar projektligjin dhe ky projektligj do t’i shkojë qeverisë sipas procedurës që të merret parasysh mendimi i tyre edhe deklarata financiare dhe  çështje të tjera. Pastaj do të vijë në kuvend dhe pas leximit të parë do të mund ta amandamentojmë,” tha ajo.

Në këtë mbledhje komisioni miratoi edhe raportet me amendamente të Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, Projektligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligjit për Digjitalizimin e Transmetimeve Radio- Difuzive Tokësore, Projektligjit për Armë, si dhe Projektligjit për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri.