Jahjaga: Kosovës i Nevojitet Ende Përmirësim i Imazhit

Republika e Kosovës ende ka nevojë ta përmirësojë imazhin e saj ndërkombëtar. Themelimi i Gjykatës Speciale përbën sfidë për vendin. Por është koha të tejkalohet ajo dhe vendi të dalë faqebardhë në këtë proces. Falë pjekurisë politike, Kosova ka legjitimitet ndërkombëtar.

Vlerësime të tilla i dhanë sot krerët më të lartë të shtetit në hapjen e Konferencës së Tretë të Ambasadorëve të Kosovës me temën “Pozita e Republikës së Kosovës në raport me sfidat rajonale dhe globale”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në këtë rast tha se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet alternativë e vetme, prandaj duhet të vazhdojnë të krijojnë partneritete të reja dhe t’i fuqizojnë ato ekzistuese.

“Njëkohësisht duhet ende përpjekje për të përmirësuar imazhin tonë të jashtëm dhe për të mbajtur Kosovën relevante në sytë e botës”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo tha se Kosova është dëshmuar si rrëfim suksesi edhe në aspektet e tjera.

“Konferenca tradicionale ndër-fetare e ka shndërruar vendin tonë në  qendër të dialogut në njërën ndër çështjet më aktuale në botë. Ne presim gjithashtu që shumë shpejtë të nënshkruajmë edhe marrëveshjen për stabilizim asociim, që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Bashkimin Evropian”, shtoi Jahjaga.

Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova është duke kaluar në procese komplekse dhe mjaft të vështira të konsolidimit të brendshëm të forcimit të subjektivitetit të vet ndërkombëtar.

Ai tha se të gjitha këto subjekte kanë të bëjnë me qëllimin e vetëm kryesor për të përmbyllur procesin e shtet-ndërtimit.

Veseli ka treguar se Kosova është duke u përballur edhe më një sfidë tjetër – atë të Gjykatës Speciale.

“Jemi në momentin kur ne si shtet duhet ta tejkalojmë këtë sfidë me racionalitet dhe pjekuri politike e historike. Kosova assesi nuk bën të dalë e humbur nga kjo sfidë. Kosova do të dalë e fituar dhe faqebardhë. Që kjo të ndodh, ne duhet që të ngrihemi mbi emocione tona individuale dhe të veprojmë me arsyen shtetërore”, tha kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Hashim Thaçi – zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovë tha se Kosova ka hyrë në një fazë më të re, më të pjekur të  diplomacisë për fazën e konsolidimit.

“Ne tani nuk kemi nevojë t’i njoftojmë shtetet për deklaratën tonë të pavarësisë, as ta mbrojmë legjitimitetin e saj, sepse  gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka folur tashmë”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, Kosova synon jo vetëm të njihet si shtet nëpërmes notave globale, por edhe të marr vendin e vet të merituar në tryezat e mëdha të diplomacive të mëdha të Ballkanit, Evropës dhe botës.