Ja Pse u Rimbuluan Muralet në Kuvend

Blerim Latifi, këshilltar politik i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë për KALLXO.com, se vendimi i kryeparlamentarit lidhur me muralet në hollin e Kuvendit është vazhdimësi e bartur formale e qëndrimeve të katër legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje.

Latifi ka shtuar se Veseli ka qenë i obliguar të respektojë qëndrimet zyrtare të kryesive të deritanishme të Kuvendit, deri në një vendimmarrje të re.

“Zgjidhja aktuale është e përkohshme, ashtu siç janë edhe artistikisht shumë të diskutueshme, nga profesionistët e artit, muralet në hollin e Kuvendit”, tha Latifi.

“Shumë nga ata që sot po bëjnë zhurmë rreth muraleve, kanë qenë vet pjesë vendimmarrëse në formësimin zyrtar të po këtyre qëndrimeve. Kryetari Veseli nuk ka qenë pjesë e këtij qëndrimi të mëhershëm zyrtar”, është shprehur Latifi.

Sipas tij, Veseli do të propozojë një konferencë me profesionistë të fushës së artit me qëllim që në muret e Kuvendit të Kosovës të prezantohen vepra me vlera të vërteta artistike, kombëtare dhe universale.

“Historia dhe identeti ynë kombëtar është tepër i çmuar, prandaj as nuk mund të lihet në duart e joprofesionistëve, e as nuk mund të bëhet objekt i manipulimit për qëllime të politikës ditore”, tha Latifi.

Sot KALLXO.com ka shkruar për zëvendësimin e muraleve të historisë shqiptare me ato të bukurive natyrore dhe trashëgimisë kosovare në hollin e Kuvendit.

Gjithashtu, për zëvendësimin e tyre ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka konsideruar se ky mbulim-zëvendësim është bërë fshehurazi.