Gjakova, me Zyrë të Re të Regjistrimit Civil

Nga dita e sotme, qytetarët e Gjakovës mund të pajisen me dokumentacione në Zyrën e Regjistrimit Civil, e cila është hapur në lagjen Orize, në hapësirat e kopshtit të fëmijëve “Ganimete Tërbeshi”.

Kjo zyrë do t’u mundësojë qytetarëve të pajisen me ekstrakte dhe certifikata të lindjes, certifikatë martesore, certifikatë të vdekjes, certifikatë të vendbanimit, certifikatë të shtetësisë dhe me dokumentin e deklaratës së bashkësisë familjare.

Inaugurimin e kësaj zyre e kanë bërë kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Armend Vokshi, si dhe kryetari i Bashkësisë së Shtatë Lokale, Lulzim Haxhiu.

“Në kuadër të angazhimeve tona konkrete që qytetarëve tu mundësojmë qasje të lehta në shërbimet ndaj tyre, ne sot, pas hapjes së Zyrës së Regjistrimit të Fëmijëve të porsalindur në ambientet e spitalit, po hapim këtë zyrë shumë të rëndësishme që do të jetë në shërbim të një komuniteti që gravitojnë prej 17 deri në 20 mijë veta. Kjo do të jetë një zyre jo vetëm për një sezonë verore, por do të jetë një zyrë e përhershme”, tha kryetarja.

Ajo ka shtuar se së shpejti do të hapet një zyrë e tillë edhe në lagjen “Qyl”.

Ky projekt i Komunës së Gjakovës është përkrahur përmes një fushate për vetëdijesimin e qytetarëve për regjistrim të fëmijëve të porsalindur, si dhe për regjistrim civil, nga UNICEF-i dhe OSBE-ja, dhe është implementuar nga tri organizata joqeveritare lokale, “Rinia Aktive e Gjakovës”, Bethany Cristians Services” dhe Qendra Rinore.

Qytetarët në këtë qendër mund të kërkojnë të pajisen me dokumente çdo ditë pune, ku shërbimi ndaj tyre do të jetë prej orës 08:30 deri në ora 15:30.