Përgjaken rrugët e Kosovës 2 të vdekur mbi 15 janë lënduar në 8 orët e fundit

E hëna ka qenë një ditë e përgjakshme për pjesëmarrësit në trafik, në më pak se 8 orë në Kosovë si pasojë e aksidenteve kanë vdekur dy persona ndërsa janë lënduar mbi 15 persona.

Në mëngjesin e hershëm rreth orës 2:00, në fshatin Merdare ka ndodhur një aksident , ku një person 39 vjeçar ka mbetur i vdekur dhe tetë të tjera janë lënduar.

Sipas PK-së në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Passat”, me targa të huaja (gjermane) dhe vetura e tipit “Audi 80”, me targa të Republikës së Kosovës.

“Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar nëntë persona, njëri prej të cilëve nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti në vend ngjarje ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën: B. S. 39 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, (vozitësi i veturës Audi), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Trupi i pajete i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa personat e tjerë të lënduar, janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Edhe në një aksident i cili ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 15:30, në fshatin Grabovc të Fushë-Kosovës një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar.

Në këtë aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë e tipit ‘Golf”. Aksidentin me fatalitet e ka konfirmuar edhe Policia.

“Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar tre persona, njëri prej të cilëve nuk ka arritur të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Florie Ahmeti.

Viktima e këtij aksidenti është i gjinisë mashkullore, shtetas i Kosovës, i cili ishte pasagjer në veturën “Golf”.

“Vdekja e tij është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor ne Qendrën e Mjekësisë Familjare. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohe që ngasësi i autobusit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka shtuar zëdhënësja e Policisë.

Edhe në magjistralen Prishtinë-Gjilan përkatësisht në fshatin Slivovë,  në mesditën e sotme kishte ndodhur një aksident, nga i cili kishin mbetur të lënduar 3 persona.

Ndërsa në Lipjan tri këmbësore kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes nga një veturë.

Aksident me të lënduar kishte pasur edhe në Komoran të Drenasit, ku siç ka raportuar KALLXO.com, rreth orës 15:20 kishte ndodhur aksidenti mes dy veturave nga i cili kishin kërkuar ndihmë 3 persona.

Rreth orës  16:00 edhe një aksident tjetër kishte ndodhur në Xërxë të Rahovecit. Sipas Policisë së Rajonit të Gjakovës, në këtë aksident janë përfshirë 4 automjete udhëtarësh, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.