Një i vdekur e dy të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe veturës në Grabovc

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar në një aksident që ka ndodhur sot rreth orës 15:30, në fshatin Grabovc të Fushë-Kosovës.

Në këtë aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë e tipit ‘Golf”.

Aksidentin me fatalitet e ka konfirmuar edhe Policia.

“Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar tre persona, njëri prej të cilëve nuk ka arritur të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Florie Ahmeti.

Viktima e këtij aksidenti është i gjinisë mashkullore, shtetas i Kosovës, i cili ishte pasagjer në veturën “Golf”.

“Vdekja e tij është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor ne Qendrën e Mjekësisë Familjare. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohe që ngasësi i autobusit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka shtuar zëdhënësja e Policisë.