Foto: Ilustrim

Për tre muaj, 23 të vdekur në aksidente trafiku

Policia e Kosovës ka prezantuar sot raportin tre mujor me statistikat analitike mbi gjendjen në trafikun rrugor në vend, ku u tha se për tre mujorin e parë të këtij viti, 23 persona kanë mbetur të vdekur në aksidentet që kanë ndodhur.

Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Nënkolonel Jeton Rexhepi ka prezantuar këto të dhëna, të cilat kanë treguar se në krahasim me tre mujorin e parë të viti të kaluar janë 4 të vdekur më pak.

Në periudhën janar-mars të 2023-ës në vend kanë ndodhur gjithsej 1 mijë e 598 aksidente me lëndime, kur persona që kanë pësuar lëndime janë gjithsej 3 mijë e 114, 127 më shumë se në tre mujorin e parë të 2022-ës.

Statistikat që prezantoi Rexhepi kanë bërë të ditur se numri total i aksidenteve përgjatë janarit, shkurtit dhe marsit, në krahasim me muajt e njëjtë të vitit që lamë pas, ka rënë për 280 aksidente më pak.

Rexhepi ka thënë se një nga objektivat kryesore të Policisë është edhe çështja e sigurisë në komunikacion.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe janë marr shumë plane operative policore, të cilat kanë qenë edhe në bashkëpunim me institucione të tjera.

Sipas nënkolonelit, një ndihmë e shtuar për siguri në trafikun rrugorë ka qenë edhe patrullimi me “Patrullën Inteligjente”.

Përpos punëve të tjera në të cilat zyrtarët policor kanë qenë të caktuar, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor tha se gjatë kësaj periudhe në fokus kanë pasur edhe identifikimin e problemeve në infrastrukturë rrugore.

Problemet që janë hasur, përfshirë këtu mungesa e sinjalizimit e të tjera, më pas, sipas nënkolonelit, janë adresuar në institucionet përkatëse.

Si një zonë që është identifikuar me rrezikshmëri të lartë për pjesëmarrësit në trafik, në këtë konferencë u tha se është hyrja në Veternik.

Rexhepi tregoi se është kërkuar nga institucionet kompetente që aty të bëhet një mbikalim apo nënkalim.

Ai tutje shtoi se në rast se nuk ndodhë kjo, atëherë është kërkuar që të vendosen barriera që do të pengojnë këmbësorët që të kalonin nga njëra anë, në anën tjetër.