Përfundon renovimi në shkollën ‘Elena Gjika’

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka vizituar sot shkollën fillore “Elena Gjika” për t’i parë nga afër punimet që janë realizuar për renovimin e tërësishëm të kësaj shkolle.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se në këtë shkollë përveç intervenimeve në dysheme dhe mure, të gjitha klasat janë furnizuar me inventar të ri.

“Më parë është investuar në 10 klasë të shkollës, kurse tani edhe 21 klasat e tjera, duke i përmirësuar kështu dukshëm kushtet e mësimdhënies dhe mësimnxënies brenda objektit. Përveç intervenimeve në dysheme dhe mure, të gjitha klasat janë furnizuar me inventar ri. Kurse, pjesa e jashtme e objektit mbetet e njëjtë, si objekt i trashëgimisë kulturore”, thuhet në komunikatën e Komunës.

Në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, koordinatori i TIKA-s për Kosovë,  Hasan Burak Ceran, dhe drejtori i Arsimit, Jonuz Salihaj.