Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Përfundon Hetimi Special ndaj Azem Sylës

Me marrjen në pyetje të dëshmitarit 2 nga avokatët e të dyshuarve kanë përfunduar seancat e mundësisë së veçantë hetuese ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve që po hetohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë.

Lajmin për përfundimin e seancave të tilla e bëri të ditur për KALLXO.com Tomë Gashi, avokati i Azem Sylës.

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Tomë Gashi tha më tutje se gjatë fjalës së tij dëshmitari 2 mohoi se është ndikuar nga Azem Syla.

Syla u riarrestua më 16 shtator, më shumë se tri javë pas lirimit nga paraburgimi, me arsyetimin e prokurorisë se në mënyrë indirekte tentoi të ndikojë pikërisht në dëshmitarin 2.

Avokati Tomë Gashi tha për KALLXO.com se me përfundimin e dëshmisë së këtij dëshmitari kanë përfunduar arsyet e mbajtjes në paraburgim të Sylës.

Sylës iu caktua paraburgimi nga Gjykata e Apelit më 23 shtator, gjashtë ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi atij masën e paraqitjes në stacionin e policisë.

Tomë Gashi është ankuar në Gjykatën Supreme në lidhje me paraburgimin e Sylës.

Azem Syla u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet gjatë një aksioni të madh të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës të zhvilluar më 27 prill. Dy ditë më vonë ai u dorëzua në polici.

Ditën kur u kërkua në shtëpi Syla, u arrestuan edhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.

Shkrimet e KALLXO.com që nga paraqitja në polici e deri te ridërgimi i tij në burg mund t’i lexoni këtu.