FOTO: KALLXO - Enver Peci - Kryetar i Gjykatës Supreme

Peci: Zgjidhja e lëndëve në veri ende sfidë për gjyqësorin

Zgjidhja e lëndëve gjyqësore në veri të Mitrovicës mbetet ende sfidë për gjyqësorin edhe pse tashmë ka një marrëveshje në mes të palës serbe dhe asaj kosovare për unifikimin e sistemit të drejtësisë.

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, përndryshe gjyqtar nga Mitrovica, tha se problemi kryesor është bartja e një pjese të gjykatës në Mitrovicë të veriut, por megjithëkëtë në vitin 2018 ka pasur progres në zgjidhjen e lëndëve.

Sipas tij problem jo më i vogël është edhe mos përgatitja e kuadrove profesionale për përkthim të dokumenteve juridike nga gjuha serbe në shqipe dhe anasjelltas.

“Sipas statistikave të ditëve të fundit për vitin 2018 ka progres në zgjidhjen e lëndëve për shkak se kanë qenë 14 mijë e 812 lëndë dhe janë zgjidhur, janë kryer 5 mijë e 883 dhe faktikisht kanë mbetur pa u përfunduar edhe 8 mijë e 929”, ka deklaruar Peci.

Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit përkatësisht marrëveshja e Brukselit për drejtësi.

Sipas marrëveshjes për drejtësi do të vendoset një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Peci ka shtuar se këto probleme nuk janë vetëm çështje e gjyqësorit, por janë reflektim i raporteve politike ndërmjet dy shteteve.

Nuk është vetëm pajisja me dokumente problemi i vetëm i qytetarëve të strukturave paralele serbe.

Problem tjetër janë edhe çështjet pronësore dhe çështja e gjuhëve.

Sipas Pecit rastet e problemeve pronësore janë të shumta, ai ka shtuar se kanë problem me zgjidhjen e lëndëve civile në Gjykatën e Apelit, por shumica janë raste individuale dhe kanë dallime në procedura.

Poashtu Peci ka thënë se janë duke u munduar që ta zvogëlojnë kohën nga katër në dy vjet të zgjidhjes së një lënde civile.