Enver Peci jep dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Gjykatës Supreme

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot mbajti takimin e 300-të, në të cilin zyrtarisht trajtoi dorëheqjen e Enver Pecit nga detyra e Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Për KALLXO.com, Peci ka konfirmuar se ka ofruar dorëheqjen e tij dhe se ka pranuar nga Presidentja vendit dekretin për t’u liruar nga detyra, meqë i njëjti është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

“Ligji i Gjykatës Kushtetuese e kërkon që para dekretimit nga Presidenti vendit për detyrën e gjyqtarit të Kushtetueses, duhet të lirohem nga detyra tjetër, KGJK ka pranuar dekretin e Presidentes me të cilin më ka liruar nga detyra dhe në një takim të sotëm të KGJK është trajtuar dorëheqja ime zyrtare” – tha Enver Peci për KALLXO.com.

Në nëntor të këtij viti Kuvendi i Kosovës e pati zgjedhur Enver Pecin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese me 66 vota pro.

Kuvendi zgjedh Enver Pecin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Enver Peci ka punuar si gjyqtar që nga viti 1987. Në shkurt të vitit 2010 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe kryesues i KGJK-së.

Në vitin 2017 u dekretua nga Presidenti i vendit dhe u emërua në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës Supreme, për një mandat shtatë vjeçar.

Në mbledhjen e sotme të KGJK-së u caktua edhe ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Për pozitën e ushtrueses së detyrës së Kryetares së Gjykatës Supreme u caktua gjyqtarja Mejreme Memaj.

Memaj ka punuar si gjyqtare në Gjykatën Supreme që nga viti 2019.