Zenun Pajaziti, shef i GP të PDk. Foto: Atdhe Mulla

PDK Fton të Përkrahet ‘Vullneti i Qytetarëve të Kosovës’

Duke folur në seancën e Kuvendit ku po debatohet për kërkesën për mocion, Pajaziti tha se vendimi i PDK-së është “në koordinim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës”.

“I ftoj deputetët që ta bartin këtë vullnet e që është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Ju ftoj që sot ta përkrahni këtë vullnet”, u tha Pajaziti sot deputetëve kur foli në emër të grupit parlamentar që e drejton.

“Sot ne kemi para vetes një mocion dhe ky mocion nuk është për t’i përsëritur sukseset e kësaj qeverie. Ky vend ka ngecje në zhvillim ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Pajaziti duke replikuar ato që kryeministri Mustafa më herët i paraqiti si të arritura të qeverisë.

“PDK ka pasur përpjekje të vazhdueshme me partnerët tanë të koalicionit që ta arrijmë një marrëveshje për vendimet të cilat i kanë pritur qytetarët tanë. Sot kemi ardhur këtu pa pasur një koordinim”, tha Pajaziti duke folur për çarjet e ditëve të fundit brenda partnerëve të koalicionit.