Afera 'pronto' mbyllet pa asnjë të dënuar

Rasti ‘Pronto” ka përfunduar me epilog lirues kjo pasi  Gjykata Supreme si gjykata më e lartë në Kosovë e ka liruar nga akuza të dënuarin e vetëm në rastin “Pronto’.

Ilahmi Gashi, është liruar nga akuza për  dy vepra penale shkelja e statusit të barabartë të shtetaseve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Gjykata Supreme prishi aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit me të cilën Ilhami Gashi ishte dënuar me burgim me kusht prej 1 vit e 4 muaj dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve.

Ndërsa gjykata e shkallës së parë më 3 janar 2020, të pandehurit: Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi, i kishte liruar nga akuza për shkak të veprave penale në bashkëkryerje shkelja e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës.

Supremja ka gjetur se asnjëra nga format e përcaktuara të kryerjes së veprës penale duke u bazuar në provat e administruara nuk janë përmbushur.

Po ashtu Supremja ka gjetur se Gjykata e Apelit  nuk është vërtetuar fare përkatësia politike e personave të punësuar, përkatësisht ndërlidhja qoftë si anëtar apo afërsia me subjektin politik që ka qenë si arsye për dhënien e privilegjit apo përparësisë duke u mundësuar punësimi i tyre mbi këtë bazë.

Tutje Supremja ka gjetur se gjykata e shkallës së dytë nuk ka vlerësuar në raport me provat e administruara as pjesën e mohimit të punësimit të personave që kishin aplikuar në konkurset përkatëse dhe veçanërisht nuk është theksuar fakti se në çfarë mënyre i është mohuar apo kufizuar e drejta e punësimit personave që ishin në garë pasi që kandidatët që nuk ishin pranuar nuk kishin bërë ankesa.

Sipas Supremes kandidatët që nuk janë pranuar në punë nuk kanë iniciuar procedurë ligjore për të kundërshtuar përzgjedhjen e të punësuarve dhe gjithashtu pa fajin e tyre nuk kanë qenë fare pjesë e këtij procesi gjyqësor, pra nuk janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve apo të të dëmtuarve as gjatë procedurës hetimore dhe as gjatë procedurës gjyqësore për të paraqitur argumentet e tyre përkitazi me dëmtimin eventual të të drejtave të tyre në procesin e rekrutimit.

Për rastin “Pronto” të akuzuar ishin njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ish ministri Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, ish këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ngritur në prill të vitit 2018.Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: Drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhej në komunikatën e Prokurorisë Speciale.