Ilustrim

PDK e Shpend Ahmeti Vazhdojnë Polemikat për Autobusët

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti që ta publikojë kontratën e blerjes së 51 autobusëve të nënshkruar një ditë më parë.

Kryetari i Rinisë së PDK-së në Prishtinë, Triumf Sadikaj, në një konferencë për shtyp, tha se nuk ka pasur transparencë lidhur me këtë çështje.

“Ne kërkojmë që të publikohet kontrata e plotë e këtij tenderi sepse i tërë ky proces është karakterizuar me transparencë zero”, tha Sadikaj.

Ai shtoi se PDK-ja ka potencuar se shumë herë se autobusët nuk janë zgjidhje e problemit të ofrimit të shërbimit për qytetarët.

“Ne vazhdimisht kemi potencuar se autobusët nuk janë zgjidhja e problemit të ofrimit të shërbimit të trafikut urban për qytetarët pasi që autobusët janë vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë që infrastruktura në këtë urban duhet të ketë”, shtoi ai.

Sipas PDK-së, këta autobusë do të jenë viktimë e marketingut të kryetarit të Prishtinës.

“Këta autobusë prapëseprapë do të jenë viktimë e marketingut të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti sepse dyshojmë që edhe gjatë mandatit të tij këta autobus do të hyjnë në punë”, shtoi më tutje.

Ndërsa Sadikaj mes të tjerash theksoi edhe se paralajmërimi i shtrenjtimit të biletave në urban është i papranueshëm pasi që këta autobusë janë blerë përmes taksave të qytetarëve.

“Paralajmërimi se biletat në urban mund të shtreojtohen ëshë I pa pranueshëm për ne sepse ky investim është bërë nga taksat e qytetarëve të Kosovës dhe si I tillë nuk duhet të ndikoj në rritjen e kostos së shpenzimeve të një qytetari”, tha Sadikaj.

Por kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, reagoi menjëherë ndaj akuzave të PDK-së

“Duke komentuar kontratën e autobusëve, dhe duke mos ditur asgjë për temën, modelin dhe reformën (PDK) tregojnë injorancën, mosdijen dhe qëllimin shpifës ndaj komunës së Prishtinës”, tha Ahmeti në reagim.

Sipas Ahmetit, prokurimi është bazuar në rregullat e Bankës Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim e cila ka dhënë kredinë për këta autobusë dhe “në çdo hap është marrë pëlqimi nga BERZH”.

“Edhe kur janë bërë specifikacionet janë bërë bashkë, edhe kur është bërë formula edhe kur janë bërë kriteret. Pra nga katër kompani ofertuese, një nuk i ka plotësuar kushtet (nga Ukraina) ndërsa nga të tjerat sipas formules së përcaktuar (Çmimi, Shpenzimet, Mirëmbajtja, garancioni etj:) çmimi më i lirë është kompania fituese”, tha Ahmeti.