Pas takimit 'të fshehtë' Arifi - Gjuriq, VV kërkon platformë dhe ekip negociator gjithëpërfshirës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas mbajtjes së takimit mes Avni Arifit dhe Marko Gjuriq në Berlin, i cili sipas Vetëvendosjes është vazhdim i avazit antikombëtar.

Sipas Vetëvendosjes, qytetarët e Kosovës morën vesh prej informacioneve të publikuara nga mediat e më vonë të konfirmuara nga Vuçiqi, se në Berlin janë mbajtur takime të fshehta mes përfaqësuesit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit, dhe të dërguarit të Vuçiqit, Marko Gjuriq.

“Haradinaj, është ai i cili fillimisht sapo u bë kryeministër, në mënyrë antikushtetuese ia la dialogun Thaçit. Kësisoj ai ia hapi rrugën projektit antikombëtar, atij të copëtimit të Kosovës. E tash, kur projektin e copëtimit të Kosovës e ndalëm, përmes protestave masive si dhe duke e diskredituar ndërkombëtarisht, kryeministri dërgon këshilltarin e tij në takime të fshehta. Ky kryeministër i cili nuk pranoi të marrë haptazi përgjegjësitë e tij duke ndalur rrezikun që po sillte Thaçi, tash, po shkon fshehurazi për të ringjallur projekte të marra fund, siç ishte “Zajednica”, thuhet në reagimin e VV-së.

Vetëvendosje ka shkruar se nuk e dinë se çfarë është folur në atë takim , pasi sipas tyre askush nuk e njoftoi as popullin e Kosovës e as parlamentin për këtë takim.

Por, sipas VV-së , është e sigurt se  nuk do të ketë kurrë dialog pa i ndjekur katër hapat që e bëjnë dialogun legjitim e demokratik të cilët, sipas VV-së, janë: shqyrtimi i marrëveshjeve të deritashme dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017; përcaktimi paraprak i qëllimeve të Kosovës në këtë dialog që bëhen kërkesa ndaj Serbisë; përgatitje e platformës ku përcaktohen parimet, temat e panegociueshme e ato të ngutshme për t’u trajtuar në dialog; formimi i një ekipi negociator gjithëpërfshirës, me udhëheqje kredibile e strategji”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Tutje, në reagimin e VV-së thuhet se i gjithë procesi i dialogut, që nga fillimi, do të duhet të ketë mbështetjen e 2/3 të Kuvendit, dhe jo vetëm ratifikimi i përfundimit të tij.

“Këto përpjekje për të gjetur rrugë të fshehta, nuk i japin kredibilitet dialogut të diskredituar. Me këtë mungesë transparence, Haradinaj po tregon se i qaset dialogut me mentalitet të njëjtë si të Thaçit”, thuhet në reagim.

Për takimin e mbajtur në Berlin ka reaguar edhe i pari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

“Takimi i mbajtur në Berlin në mes të Avni Arifit dhe Marko Gjuriqit, si vazhdim i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ashtu i fshehtë dhe pa kurrfarë paralajmërimi e konsultimi është i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm për zhvillimet politike në Kosovë e në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Ahmeti

Në lidhje me takimin e mbajtur në Berlin, ka folur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se ishte takim formal dhe i rregullt, për të cilin kanë qenë të njoftuar edhe partnerët e koalicionit qeverisës.