Foto: KALLXO.com

Pas 10 viteve në paraburgim, i akuzuari fillon të flasë për vrasjen e Naim Hajrizit

I akuzuar për rastin e vrasjes së Naim Hajrizit, vrasje që ka ndodhur 10 vjet më parë, Osman Spahiu ka vendosur më në fund të flasë për këtë rast.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, ku i akuzuar është edhe Gëzim Retkoceri, Osman Spahiu ka dhënë detaje që nuk i ka dhënë asnjëherë më parë.

I pyetur se pse ka vendosur sot të flasë për vrasjen që ka ndodhur në muajin maj të vitit 2009, ai u përgjigj ndër të tjera se i akuzuari Retkoceri i kishte thënë: “Mendo çka po fol se nuk të vyen liria”.

Më tutje ai theksoi se beson se nuk është vonë kurrë dhe se çka ka përjetuar që 10 vite “nuk mundem me e kthy mbrapa”.

I akuzuari Osman Spahiu deklaroi se Gëzim Retkoceri kishte kërkuar nga ai që ta thërrasë në telefon vëllanë e të ndjerit Naim Hajrizi dhe t’i thotë: “Vëllain e ke në Shkup, mos e lajmëro Policinë”.

Spahiu po ashtu tha se Retkoceri i kishte kërkuar edhe që të blinte një shishe me benzinë.

Ai tregoi se punonte tek autoservisi i Retkocerit.

Në aktakuzë përmendet një veturë “Golf” në të cilën ishte futur i ndjeri Naim Hajrizi.

Ndërsa Osman Spahiu deklaroi se kishte parë Retkocerin të hapte bagazhin e një veture Golf dhe të bënte me sprej të zi.

Sipas tij këtë veturë ai po ashtu kishte kërkuar nga Spahiu që të lajë si dhe më vonë kishte ofruar t’ia shiste për 650 euro.

I pyetur nëse e kishte parë të ndjerin ndonjëherë, Spahiu u deklarua se i kishte rregulluar veturën e tij.

Gjatë seancës pati tensione të shumta.

Për shkak të tensioneve mes familjarëve, Gjykata u detyrua që të bëjë një pauzë për disa minuta.

Tensione pati edhe mes avokates së Gëzim Retkocerit, Kosovare Kelmendit dhe familjes së të ndjerit Naim Hajrizit. Gjë për të cilën Gjykata tërhoqi vërejtjen dhe deklaroi se kjo është vërejtja e fundit dhe se herën tjetër do të shqiptoheshin masat tjera të parapara sipas dispozitave ligjore.

Fjalosje e tensione kishte pasur edhe në seancat e mëparshme.

Të akuzuarit Osman Spahiu dhe Gëzim Retkoceri në bazë të aktakuzës akuzohen për vrasje të rëndë.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet më 26 korrik.

https://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-maratonik-per-vrasjen-e-naim-hajrizit/

https://kallxo.com/tensione-ne-gjykimin-per-vrasjen-e-naim-hajrizit/

Gjykata e Prishtinës, në korrik të vitit 2015 kishte shpallur fajtorë Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun dhe i ka dënuar me nga 30 vjet burg për vrasjen e Naim Hajrizit në prillin e vitit 2009.

Por, pas pranimit të ankesave të mbrojtësve dhe të prokurorit dhe pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës dhe ktheu në rigjykim çështjen.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar siç obligojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.