Parking për 400 vetura planifikon Komuna e Prizrenit, në projektin për 'Sheshin Bazhderhane'

Si rrallë herë kur ka Dëgjime Publike kësaj radhe salla e Asamblesë komunale të Prizrenit ishte e mbushur me qytetarët dhe përfaqësues të bizneseve afariste, në dëgjimin publik të mbajtur të premten më 05.07.2019 për projektin ideor “Sheshi i Bazhdarhanes”.

Pos drejtoreshës Sevil Kazaz, e cila udhëheq me drejtorinë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, në këtë takim nuk ishte prezent asnjë drejtor tjetër i Komunës, as kryetari i Komunës Mytaher Haskuka.

Fillimisht Drejtoresha Sevil Kazaz tha se ky projekt ideor është projekt nëpërmjet të cilit planifikohet ndërhyrja infrastrukturore përreth Shtëpisë së Bardhë, dhe të gjithë Lagjen Bazhdarhane, duke krijuar një shesh të ri me infrastrukturë moderne.

E njëjta tha se ky është fillimisht vetëm një projekt ideor dhe duhet të jepen ide dhe sugjerime tjera shtesë para se të kalohet nëpër faza tjera të projektimit dhe të zbatimit.

Para të pranishmëve prezantimin e projektit e bëri Jeton Jagxhiu, udhëheqës i projektit.

Jagxhiu tha se deri tek ky projekt ideor kanë ardhur duke marrë parasysh se Lagja Bazhdarhane ka një numër të madh të biznese afariste, dhe punëson një numër afro 8 Mijë qytetarët, dhe se Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka turizmin e ka renditur si një ndër prioritet e tij kryesore për Prizrenin.

Jagxhiu tha se qëllimi është të krijohet një hapësirë e re për qytetin dhe për vizitorët, ashtu si Shehi Shatërvan, të krijohet një Shesh i ri në lagjen Bazhderhane.

Në këtë projekt është menduar të ndërtohet edhe një parking i madh nëntokësor, me 300 deri në 400 vende për parking, e që sipas udhëheqësit të këtij projekti Jeton Jagxhiu ky parking mund të mbulojë një pjesë të madhe të kostos së projektit që mund të shkojë nga 5 deri në 10 milionë Euro, por çështja e kostos mbetet ende e hapur përderisa projekti të mos kaloj në fazat tjera.

Ndërtimi i këtij projekti është menduar të bëhet në 3 etapa, dhe kjo planifikohet të jetë ndërhyrja  me e madhe në qytetin e Prizrenit qysh nga vitet 80’ta, ndërsa etapa e parë e punimeve mendohet të jetë devijimi i rrugëve, ndërsa si etapë e dytë parashihet shpronësimet e domosdoshme dhe ndërtimi i parkingut, ndërsa etapa e fundit të jetë ndërtimi i sheshit kryesor.

E gjithë kjo punë sipas Jagxhiut mund të bëhet paralelisht në etapa të ndryshme, ashtu që mos të bllokohet pjesa kryesore e qytetit, dhe të mos krijohen pengesa për qytetarët dhe bizneset.

Shumë kritik ndaj këtij plani ideor u shfaq Fahri Musliu, gazetar.

Musliu tha se në këtë debat ka ardhur në cilësi të qytetarit, dhe i njëjti u shfaq mjaft kritik ndaj këtij plani ideor, duke e quajtur “dëshirë dhe utopi më shumë se realitet”.

Ai tha se qeverisja në Prizren duhet të jetë më konkrete në planet e tyre, dhe të investohet në projekte me prioritet.

“Projektet si ky i paraqitur sot janë projekte afatgjate, dhe krijojnë huti, dhe mendoj se ky projekt i juaji mund të zgjat deri në 10 vite, dhe është një kosto jashtëzakonisht e lartë“, tha ai.

Jagxhiu duke iu përgjigjur Fahri Musliut tha se projekti në fjalë mund të zgjasë deri në dy vite, dhe se problemi më i madh mbetet vullneti politik, ndërsa qytetarët sipas Jagxhiut kanë votuar për ndryshime dhe ky projekt duhet përfunduar deri në fund të mandatit të Kryetarit Mytaher Haskuka.

Getoar Besimi asamblist nga radhët e PDK-së, doli në përkrahje të këtij projekti dhe plani ideor duke thënë se është një projekt i realizueshëm,  por se deri më tash në asnjë planifikim buxhetor nuk është paraparë ndërtimit i këtij projekti.

Besimi shtoi se fillimisht duhet të ketë një koordinim dhe harmonizim të brendshëm ndërmjet drejtorive të Komunës, sepse ky projekt po bie ndesh me projektet ekzistuese dhe që janë në planifikim.

Qytetarë dhe afaristë të lagjes Bazhdarhane në këtë dëgjim publik dolën në përkrahje të projektit ideor, duke thënë që kjo të mos mbetet vetëm projekt ideor, por edhe të zbatohet dhe të realizohet si projekt, me fokus të veçantë krijimin e parkingut që mendohet të ketë deri në 400 vende për vetura.

Në përfundim drejtoresha Sevil Kazaz, nuk u deklarua në shumë dhe as nuk dha përgjigje shtesë për qytetarët dhe të pranishmit në sallë, por i falënderoi për pjesëmarrje dhe tha që në të ardhmen do të organizohen edhe debate tjera publike për këtë projekt ideor në koordinim me kabinetin e kryetari Haskuka dhe Drejtoritë tjera.