Astrit Haraqija në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Parashkruhet Aktakuza për Astrit Haraqinë

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” dy veprat penale që i ngarkoheshin nga prokuroria ish ministrit Astrit Haraqija janë parashkruar, pasi që rasti nuk ka arritur të gjykohet brenda afatit që parashihet me ligj.

Lënda ka arritur parashkrimin gjatë rrugëtimit 57 ditësh nga  Gjykata Themelore e Prishtinës në Gjykatën e Apelit, përkundër faktit se këto dy gjykata i ndan vetëm një mur.

Sipas aktakuzës ndaj ish-ministrit Haraqija rëndonte vepra penale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Mirëpo, ndjekja e mëtutjeshme penale ndaj tij siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”,  tanimë ka marrë fund pasi që veprat penale që i ngarkoheshin  janë  parashkruar përfundimisht në janar të këtij viti.

Siç dihet bashkë me Haraqinë të gjykuar në këtë çështje janë edhe ish-ministri  i Kulturës, Valton Beqiri, Nehat Fejza pronar i kompanisë “Concordia Pictures” dhe Armond Morina, pronar i kompanisë “Morina Films”.

Sipas aktakuzës Astrit Haraqija, në kohën kur ishte ministër i kulturës në vitet 2006-2007, kishte lidhur kontrata të kundërligjshme për financimin e dy projekteve filmike. Po sipas aktakuzës, dëmi që i ishte shkaktuar buxhetit me kontratat në fjalë ishte rreth 300 mijë euro.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë dhe lënda ishte kthyer në rivendosje nga Apeli. Por sërish gjykata i shpalli fajtorë në dhjetor të vitit 2016 dhe i kishte dënuar me nga një vit me burgim katër të akuzuarit.

Detaje për këtë zhvillim mund të ndiqni në linkun e mëposhtëm: