Kallashnikov, Ilustrim

Parandalohet grabitja e armatosur në një pikë karburanti në Durrës

Policia shqiptare ka arritur të parandalojë grabitjen me armë të një pike karburanti në Durrës.

Me këtë rast, në flagrancë është arrestuar një shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

Policia ka sekuestruar armë zjarri, maska, municion luftarak e sende të tjera që do shërbenin për të realizuar grabitjen.

Për ta finalizuar operacionin e koduar “Ndjekja”, Policia ka përdorur metoda speciale të hetimit.

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit kryesor të dyshuar, shtetasit J.M., 26 vjeç, banues në Xhafzota, të cilit në momentin e arrestimit policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike Kallashnikov model 56, një karikator me 22 fishekë, tre maska, tre palë doreza, tre aparate celularë dhe një thikë, sende këto që do përdoreshin për të realizuar grabitjen me armë.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh.M.,22 vjeç, banues në Delvinë dhe A.C., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bashkëpunim me njëri -tjetrin dhe shtetasin e arrestuar në flagrancë, më datë 30.03.2019 gjatë natës kishin planifikuar grabitjen e një pike karburanti në qytetin e Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake.