Durrës, dyshohet se vajza e vrau babain me armë zjarri dhe e varrosi

Policia shqiptare ka arrestuar një 19 vjeçare pasi dyshohet të ketë vrarë  babain e saj 50 vjeçar me armë zjarri.

Organet e rendit kanë njoftuar se e dyshuara, H.M, ka deklaruar se “motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur”.

Trupi i viktimës ishte varrosur brenda rrethimit të banesës ku jetonte dhe më pas është zhvarrosur nga organet kompetente.

Viktima P.M, ishte raportuar i zhdukur më 13.02.2024 në Polici nga djali i tij dhe rasti ishte hetuar si zhdukje.

“Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas komunikatës hetimet po vazhdojnë për të  vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.