Pamje: Policia e Shtetit/ Facebook

Pamje - Policia ia sekuestron mbi 100 mijë euro një 30-vjeçari në Durrës

116 mijë e 685 euro i janë sekuestruar një 30-vjeçari nga Policia e Shqipërisë në Durrës.

Policia njofton se paratë dyshohen të jenë të përfituara në mënyrë të kundërligjshme dhe janë gjetur në automjetin e shtetasit D.T., i cili më pas është arrestuar.

“Në vijim të kontrolleve të kryera në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas posedonte një shumë të madhe parash, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në automjetin e tij” – thuhet në njoftimin e policisë.

Për të vërtetuar burimin e këtyre të ardhurave, policia thotë se po vijon hetimet.

Ndërkaq, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme.