Paraburgim të Dyshuarit për Falsifikim

Paraburgimin Zenelit sot pasdite ia caktoi Gjykata Themelore në Gjilan.

Prokurorja e shtetit Rozalinda Hasani paraqiti sot para gjyqtarit të procedurës paraprake Ramiz Azizi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Agim Zeneli.

Sipas prokurores, Zeneli dyshohet se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve.

Hasani e arsyetoi kërkesën për paraburgim me arsyetimin e ekzistimit të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, ndërsa tha se me provat të cilat paraqiti është plotësuar kushti ligjor për caktimin e paraburgimit.

Të kundërtën e prokurores e tha Fahri Nuhiu, avokati i Agim Zenelit që deklaroi se klienti i tij nuk duhet të qëndrojë në burg.

Sipas avokatit, provat të cilat i ka paraqitur prokuroria nuk janë argument i mjaftueshëm që të caktohet masa e paraburgimit, pasi që ato prova tashmë janë të sekuestruara nga policia, prokuroria dhe gjykata dhe nuk ekziston dyshimi se i mbrojturi i tij t’i dëmtojë apo zhduk këto prova.

Nuhiu i propozoi gjykatës që Agim Zenelit t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak, apo lajmërimit në stacionin policor.

Sipas prokurorisë  Agim Zeneli dyshohet se ka falsifikuar nje aktgjykim të Gjykatës Themelore të Gjilanit, procesverbalin e kontrollimit të veturës, kërkesë- ftesën për tërheqjen e gjërave të konfiskuara, certifikatën e notave te UP-së dhe dy aktvendime të gjykatës.

Gjykata Themelore në Gjilan pasdite ka sjellur aktvendimin me të cilin ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1  muaji për të pandehurin Agim Zeneli.