Paqja Studentore kërkon ndërprerjen e grevës në universitet

Organizata studentore “Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës” është deklaruar kundër grevës në universitetet publike, që ka nisur sot me vendim të rektorëve të këtyre universiteteve.

Sipas kësaj organizate greva po u shkakton probleme studentëve për shkak të mosmbajtjes së provimeve, duke shkaktuar kështu “kaos” në universitet.

PS-UP përmes një komunikate për media thotë se mosfunksionimi i administratës së fakulteteve po u pamundëson studentëve që të kryejnë punët administrative, përfshirë këtu pamundësinë e nxjerrjes së dokumenteve për aplikim për bursë komunale.

“Paqja Studentore është kundër çdo pengese që i bëhet studentëve, duke iu pamundësuar diplomimin në afat dhe humbjen e mundësisë për aplikim për vazhdimin e studimeve jashtë vendit. Si pasojë e grevës studentët nuk mund të kenë qasje në bibliotekat e fakulteteve të tyre, të cilat janë ndërtuar për shfrytëzim nga ana e studentëve”, thuhet në njoftimin e organizatës studentore.

Gjithashtu, PS-UP është kundër mbylljes së programeve studimore të universiteteve publike në Kosovë, për shkak se mbyllja e programeve ua pamundëson studentëve të studiojnë ato fusha.

Tutje, Paqja Studentore bën thirrje që të zgjidhen të gjitha çështjet që pengojnë mbajtjen e provimeve dhe zhvillimin e arsimit të lartë.

Dje, rektorët e universiteteve publike morën vendim për fillimin nga sot të një greve të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

www.kallxo.com