Pamje nga konferenca "Gratë e suksesshme dhe sfidat e tyre" - Foto: KALLXO.com

Gratë rrëfejnë rrugën drejt suksesit

Gra të suksesshme të Kosovës kanë treguar përvojën e tyre dhe sfidat për të arritur aty ku janë sot.

Në një konferencë të organizuar nga organizata studentore “Paqja Studentore”, panelistet kanë këshilluar studentët e mbledhur në sallën e Fakultetit të Edukimit që të punojnë shumë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.

Remzie Shahini – Hoxhaj, profesoreshë në Fakultetin Filologjik, tha se edukimi është një prej parimeve themelore të drejtave të njeriut dhe domosdoshmëri e kohës së sotme.

Por, sipas saj, gra të suksesshme nuk janë vetëm ato që kanë kontribuar veç në aspektin akademik, por janë pikërisht ato gra që kanë pasur sfida të mëdha në jetë dhe kanë arritur t’i tejkalojnë ato.

“I përkulem çdo nane shqiptare, çdo gruaje e cila ka sakrifikuar në formën e vet  në Kosovë”, tha ajo.

profesoresha Shahini-Hoxhaj theksoi se për pozitën në të cilën është sot, inspirim për të ka qenë nëna e saj, e cila e ka përkrahur atë në aspektin e ngritjes akademike.

Ajo tregoi se gjatë rrugëtimit të saj ka pasur shumë sfida por megjithatë nuk është dorëzuar asnjëherë, deri në arritjen e objektivave.

“Mesazhi im për studentët është që të synojnë sa më lartë, mos të heqin dorë prej ëndrrave të mëdha dhe të punojnë shumë për aspiratat e tyre”, porositi ajo.

Ndërkaq, gazetarja dhe shkrimtarja Radije Hoxha teksa po tregonte për rrugëtimin e saj drejt pozitës në të cilën ndodhet sot, tha se duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta realizuar vetveten.

Sipas saj duhet të mundohemi për të tjerët e t’i shohim vlerat reale të tyre, jo t’i nënçmojmë.

Ajo tha gjithashtu se nuk duhet të paragjykojnë për gjërat që s’i dimë sepse nuk ka shtet ideal, popull ideal, politikë ideale e aq më tepër njeri ideal .

“Gazetarët e këqij dhe politikanët e këqij na bëjnë që t’i urrejmë shtetet dhe popujt. Ne duhet vetë t’i shohim me sytë tanë , vet t’i gjykojmë”, tha ajo.

Ndërsa, Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe, është një tjetër grua që ishte pjesë e panelit të kësaj konference.

Ajo rrëfeu për jetën, problemet dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar bashkë me dy fëmijët e saj, sepse burrin ia kishin vrarë dhe akoma nuk e di se ku pushojnë eshtrat e tij.

Sipas saj, e vetmja gjë që atyre iu ka munguar ka qenë ushqimi dhe personat e pagjetur.

“Personat e pagjetur janë bërë pas luftës biznes I të tjerëve. Kanë ardhë njerëz I kanë kërku 1.000 marka, 2.000 marka, duke thanë se e kam parë në një burg burrin, e që ata janë matrapazë që kane luajtur me ndjenjat e grave”, theksoi ajo.

Ajo sqaroi se për t’iu larguar temave për personat e pagjetur e njerëzve matrapazë, bashkë me pesë gra të tjera kanë filluar të merren me kultivimin e specave.

Sipas Hotit, lufta për ekzistencë dhe mundimi për t’ua krijuar një të ardhme më të mirë fëmijëve të saj, bëri që të punojnë shumë dhe të shndërrohen në një kompani të madhe.

“Filluam pesë gra ndërsa tani jemi shndërruar në një kompani të madhe  e cila ka nën ombrellën e vet 200 markete në Kosovë”, përfundoi ajo.