Granit Curri nga organizata "Zëri Studentor" - Foto: KALLXO.com

‘Zëri Studentor’ dorëzon kallëzim penal kundër organizatorëve të grevës në universitete

Organizata studentore nga Peja ‘Zëri Studentor’ sot ka dorëzuar kallëzim penal në Këshillin Prokurorial të Kosovës kundër organizatorëve të grevave në universitetet publike të Kosovës.

Anëtari i kësaj organizate, Granit Curri, ka thënë se vendimi i Konferencës së Rektorëve për grevë është një veprim i kundërligjshëm.

“Kemi dorëzuar në Këshillin Prokurorial një kallëzim penal kundër një vendimi të marrë nga këshilli i rektorëve dhe kemi një dyshim të bazuar të një vendimi të kundërligjshëm të tyre, i cili nuk ka bazë juridike. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve, organeve të hetuesisë të cilët i ndjekin veprat penale që ta vlerësojnë situatën në mënyrë objektive. Ky vendim i këshillit të rektorëve ka atakuar në mënyrë të drejtpërdrejtë studentët për shkak se në vendimin e marrë ata, dhe kemi dyshim se ky vendim është nga një subjekt politik”, ka deklaruar Gërvalla.

Ndërsa sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial, ky i fundit nuk është kompetent për kallëzimet penale.

Këshilli është institucion i pavarur dhe kompetencë e tij, ndër të tjera, është të sigurojë që prokurorët të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, si dhe propozimi i kandidatëve te presidenti për emërim si Kryeprokuror të Shtetit.

Ditë më parë rektorët e 6 universiteteve publike në Kosovë, kishin vendosur që edhe sistemi universitar të hyjë në grevë të përgjithshme, si dhe kërkuan shkarkimin e ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi.

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

www.kallxo.com