Gjatë ligjeratës në Universitetin e Prishtinës për lajmet e rreme- Foto: KALLXO.com

Gazetarët mësojnë studentët se si duhet vepruar me lajmet e rreme

Nën organizimin e organizatës studentore ‘Paqja Studentore”, studentë të Universitetit të Prishtinës kanë dëgjuar një ligjëratë të mbajtur nga gazetarë, ish-gazetarë, profesorë e redaktorë lidhur me lajmet e rreme, si të identifikohen ato dhe si të mbrohemi nga to.

Para se të fillojë ligjërata “Paqja Studentore” shfaqi një video të shkurtër me disa studentë me qëllim të vetëdijesimit të publikut për lajmet e rreme.

Redaktori i emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, Kreshnik Gashi tha se edhe studentët duhet të kontribuojnë për të luftuar kauzën e lajmeve të rreme.

Ai shtoi se për lajme të rreme dhe shpifje ka sanksione.

Si shembull u mor edhe portali KALLXO.com dhe logo e tij.

“Simboli i KALLXO.com është fytyra. Arsyeja është që ne dëshirojmë me pasë fytyrë në këtë punë dhe të dalim ballëhapur para njerëzve që raportojnë. Brenda çdo artikulli ekziston një gazetar që raporton. Të raportosh lajme për të cilat nuk dihet autori, nuk është rruga e cila duhet me u ndjek. Ne lejojmë që persona të ndryshëm të raportojnë lajme të rreme pasi që ne i lexojmë ato i klikojmë. Nuk duhet bërë kjo, çka duhet të bëjmë ne është që të ndalim këtë, t’i raportojmë lajmet e rreme”, tha Gashi.

Ai tha edhe se ka metodë e cila identifikon media që japin lajme të vërteta.

“Në vitin 2017 kemi apliku në rrjetin global për me marrë licencë për verifikim të fakteve. KALLXO.com është e vetmja platformë në Kosovë e njohur globalisht që ka standarde profesionale”, tha ai.

Alban Zeneli, profesor në Universitetin e Prishtinës në degën e Gazetarisë dhe ish-gazetar në të kaluarën, tha se lajmet e rreme, identifikimi dhe mbrojtja nga to është temë e rëndësishme për të gjithë shoqërinë.

“Problemet e lajmeve te rremeve kanë ekzistuar edhe më herët.  Prej kur ka fillu lajmi, ka fillu edhe ‘fake news’”, tha Zeneli.

Ai tregoi disa lloje të lajmeve të rreme.

“Një lloj tjetër është kur fotografia është e manipuluar, kur përmbajtja e lajmit s’ është e verifikuar dhe nuk është e saktë edhe ilustrimi nuk është i bërë në formë të mirë. Një lloj tjetër i lajmeve të rreme është edhe satira. Ajo s’ka për qëllim me bo lajme të rreme por shpesh keqkuptohet nga publiku”, tha ai.

Ai propozoi që si lëndë obligative në universitet të bëhet edukimi medial.

Pas ligjëratave, studentët ishin kureshtarë të dinin se a ekziston ligji për kredibilitetin e portaleve online.

Gashi tha se Kosova ka legjislacion në mbrojtje të fjalës së lirë dhe sipas parimeve kushtetuese askush nuk ka të drejtë të cenojë dikujt fjalën e lirë.

“E kemi ligjin për shpifje që është i avancuar dhe përmban bazë shume të mirë. Janë diku 50 padi në gjykatë qe po pritet me u zgjidh si raste”, tha Kreshnik Gashi.