Organizata 'Paqja Studentore' ka reaguar ndaj vjedhjes së pajisjeve në zyren e tyre

Organizata “Paqja Studentore” e Universitetit të Prishtinës (PSUP) ka reaguar ndaj vjedhjes së pajisjeve të projektit “Java Studentore e Filmit”, në zyrën e organizatës, e cila ndodhet në Fakultetin e Arteve.

Përmes një njoftimi, organizata “PaqjaStudentore” ka njoftuar se është vjedhuraAltoparlanti, dy mikrofona, dy reflektorë, një baner dhe një projektor.

“Këto janë pajisjet që janë vjedhur, pajisje të cilat janë jetike për realizimin e projekteve të tilla studentore”, vazhdon njoftimi.

Kjo organizatë po ashtu ka kërkuar rritjen e sigurisë në fakultete, hapësira në të cilat pothuajse studentët kalojnë tërë ditën.

“Veprime të tilla na bëjnë të kuptojmë që siguria në fakultetet tona, të cilat janë shtëpi e dytë e studentëve, është e brishtë, madje aq e brishtë sa që edhe kamerat ishin të fikura në kohën kur ka ndodhur krimi”, theksohet në njoftim.

Organizata ka treguar që menjëherë pas ngjarjes e kanë kontaktuar Policinë e Kosovës, por ende nuk është gjetur personi ose personat që kanë kryer këtë akt të tmerrshëm.

“PSUP do të vazhdojë të interesohet deri në zbardhjen e këtij rasti, i cili fatkeqësisht nuk është i pari në këtë fakultet. Ndonëse, këto veprime të liga tentojnë ta ndalin punën e studentëve,”Paqja Studentore” si organizata më e vjetër në UP, nuk do të dorëzohet para akteve të tilla, të cilat mbi të gjitha na bëjnë të kuptojmë që po bëjmë një punë të madhe, gjithmonë në shërbim të studentëve”, përfundon njoftimi.