Pamjet ku inspektori mbulohet me para, Prokuroria autorizon hetime paraprake

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj ka autorizuar gjatë ditës së sotme Policinë në Malishevë të kontrollojë tek inspektori i Komunës së Malishevës, Driton Krasniqi, grumbullin e parave me të cilat është filmuar gjatë vikendit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Kryeprokurori.

“Para gjysme ore autorizova Policinë në Malishevë të kontrolloj paratë tek inspektori dhe të shohin çfarë para janë edhe pse duken se janë para të letrës të cilat blihen në market, ku në njërën anë janë me fotografi të parave ndërsa në anën tjetër janë të bardha”, ka thënë Selimaj.

KALLXO.com ka raportuar gjatë vikendit për këtë rast.

Në një video të shpërndarë në Facebook, zyrtari shihet duke shpërndarë dhe pranuar ato që duken si monedha 500 euroshe dhe 100 euroshe.

KALLXO.com ka kontaktuar Driton Krasniqin, i cili është inspektor i ndërtimeve në këtë Komunë.

Ai tha se paratë që shihen në video janë letër me fotografinë e monedhave.

“Kemi festuar në një restorant në Malishevë. Ishte veç për qejf një darkë dhe paratë që po shihen në video janë letër”, tha Krasniqi.

Ai ka dërguar në adresë të KALLXO.com disa prej atyre letrave që në njërën anë duken si monedha dhe në njërën anë janë të bardha.

VIDEO: Inspektori i Malishevës mbulohet me para, thotë se janë letër