Më Pak Shërbime Juridike Falas

Drejtori ekzekutiv i kësaj Agjencie Ramadan Gashi para Komisionit për Legjislacion raportoi për punën e saj gjatë 2015-ës.

Sipas Gashit, sfidë për agjencinë është mbyllja e dy zyrave regjionale në Gjakovë dhe Ferizaj, shkaku që këto zyra që janë financuar deri më tani nga donatorët, nuk financohen më prej tyre.

Edhe nënkryetarja e Komisionit për Legjislacion Selvije Halimi pyeti për arsyen se pse janë 1 mijë e 8 shërbime më pak.

“Ajo që më ka bërë përshtypje është se ju keni potencuar në raport se për vitin 2015 janë 1 mijë e 8 shërbime më pak se në vitin 2014. Si keni ardhë deri te ky konstatim që keni 1 mijë e 8 shërbime më pak. A ka pasë kërkesa të cilat ju nuk keni mundur t’i përafroni, apo vetëm keni hy në vlerësime se janë më pak shërbime. A është vetëm mungesa e buxhetit që këto shërbime të jenë më pak, apo kërkesat qytetare janë në rënie e sipër,” pyeti ajo.

Ndërkaq, Ramadani tha se këto shërbime janë më pak shkaku i mbylljes së dy zyrave regjionale.

“Pse kemi ne 1 mijë e 8 veprime më pak në vitin 2015 është pasojë e mbylljes së zyrave të cilat kanë funksionuar me donacione deri në gjysmëvjetorin e vitit të kaluar dhe ato kryesisht sidomos e kanë shkaktuar këtë mungesë zyra e Ferizajt dhe e Gjakovës,” tha ai.

Ramadani shtoi se kanë kontaktuar donatorët, por ata më nuk do të mbështesin zyrat në Gjakovë e Ferizaj.

“Donatorët i kemi kontaktuar dhe ata kanë thënë se për t’ju mbështetur në zyrë harrojeni. Ne ju mbështesim në komponentë shtesë: në trajnime, në avancim të stafit, etj. Për t’i hapë zyrat më nuk  shpresojmë që do të mbështetemi nga donatorët,” tha ai.

Më tutje Ramadani kërkoi që këto zyra të financohen nga buxheti i shtetit, duke treguar se kostoja për një vit për një zyrë regjionale është 24 mijë euro.

“Kostoja është 24 mijë euro për një zyrë dhe po konsiderojmë se në këtë formë trajtimi nuk është i barabartë i qytetarëve dhe ne nuk bëjmë më shumë. Mbetet që bashkërisht të provojmë me siguruar atë buxhet,” tha ai.

Edhe vendosja e këtyre zyrave në institucione publike ishte kërkesë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, pasi sipas zyrtarëve të saj  po përballen me implikime buxhetore.

Deri tani vetëm zyrat në Gjilan dhe Prizren kanë arritur që të vendosen në institucione publike.

Ndryshe, sot anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar propozimet për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Anëtarët e komisionit i kanë përzgjedhur tre emra Rexhep Gashin, Azem Hajdarin dhe Xhevdet Halilin. Vetëm njëri nga këta do të zgjidhet anëtar i KPK-së me votë të fshehtë në Kuvend.