Më Pak Remitanca dhe Kredi në Fund të 2015-ës

Sipas BQK-së shuma e remitancave të pranuara në Kosovë dhe të hyrat nga kompensimi i punëtorëve ishin për 2.4 për qind, përkatësisht 3.4 për qind më të ulëta në tremujorin e katërt të vitit 2015 kundrejt tremujorit të katërt të vitit paraprak.

Ky tremujor përfshinë muajt tetor, nëntor dhe dhjetor.

Shënimet e BQK-së tregojnë se në këta muaj të 2015-ës gjithnjë në krahasim me të njëjtët muaj të 2014-ës kishte rënie edhe të kredive të reja të lëshura nga bankat.

Shuma e kredive të reja konsumuese të lëshuara gjatë këtij tremujori ishte për 19.5 për qind më e ulët krahasuar me shumën e kredive të lëshuara në tremujorin e katërt të vitit 2014.

Gjithashtu në këtë periudhë  edhe eksporti i mallrave dhe shërbimeve pësoi rënie vjetore prej 9 për qind, ndërsa importi për 0.8 për qind.

BQK-ja bën të ditur se kjo rënie shkaktoi deficit të eksporteve neto për 3.9 për qind në tremujorin e katër t të 2015-ës duke ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Por, nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) deri në shtator të vitit 2015, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) arriti vlerën nominale prej 4.25 miliardë eurosh, nga 4.12 miliardë euro sa ishte në nëntë muajt e parë të vitit 2014.

Ky produkt deri në shtator të vitit të kaluar u rrit mesatarisht 3.6 për qind, ndërsa në këtë rritje ndikuan konsumi dhe investimet. Por dallimi i madh mes eksporteve dhe importeve dhe rënia e eksporteve neto në këtë periudhë ndikuan negativisht në rritjen ekonomike të vendit.

Produkti i Brendshëm Bruto nëpër vite
Produkti i Brendshëm Bruto nëpër vite

Produkti i Brendshëm Bruto është një tregues i vlerës së tregut të të gjitha të mirave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një shtet dhe përfshin të gjithë prodhimet e shërbimet aktuale të destinuara për treg si dhe ato të prodhuara për konsum për vete nga të gjitha njësitë që veprojnë në territorin e një shteti.

Sipas statistikave të publikuara nga ASK-ja në tremujorin e parë të vitit 2015 Produkti i Brendshëm Bruto shënoi një rritje vjetore prej 1.7 për qind, kundrejt rritjes prej 0.3 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Në tremujorin e dytë po të këtij viti, ekonomia e Kosovës u karakterizua me një rritje më të shpejtë vjetore prej 4.8 për qind, kundrejt rënies vjetore prej 1.7 për qind nëperiudhën e njëjtë të vitit 2014, përderisa në tremujorin e tretë të 2015-ës rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto ishte 4 për qind, ndërsa në tremujorin e njëjtë të vitit 2014 kjo rritje ishte 2.9 për qind.

Nga vlerësimet fillestare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për tërë vitin 2015 është sugjeruar se vlera nominale Produktit të Brendshëm Bruto arriti në 5.76 miliardë euro, gjë që paraqet një normë reale të rritjes prej 3.5 për qind, kundrejt 1.2 për qind që ishte në vitin 2014.

Megjithatë, duke pasur parasysh zhvillimet në ekonominë e vendit gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, vlerësimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes së PBB-së gjatë tërë vitit 2015 ka qenë 3 për qind.

Në tremujorin e fundit të vitit 2015 kundrejt periudhës së njëjtë të vitit 2014, rrjedha e transferëve të pranuar në vend nga sektori i jashtëm është karakterizuar me rënie.