Më pak Ndërmarrje të Regjistruara në 3 Muajt e Fundit të 2017-ës

Në tremujorin e katërt të vitit 2017 janë regjistruar gjithsej 1.921 ndërmarrje, ose 13.3 për qind në pak në krahasim me tremujorin paraprak, ka bërë të ditur sot Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në raportin më të ri mbi ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e katërt 2017, thuhet se po ashtu krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2016 ka një rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 14.7%.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me 511 ndërmarrje të regjistruara (26.6%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 183 ndërmarrje të regjistruara (9.5%); ndërtimtaria me 180 ndërmarrje të regjistruara (9.4%) etj.

1846 ndërmarrje, ose 96.1 për qind e ndërmarrjeve të regjistruara kanë të punësuar nga 1 deri 4 persona, 5-9 të punësuar kanë 47 ndërmarrje, ose 2,4 për qind e ndërmarrjeve të regjistruara, 10-19 të punësuar i kanë 18 ndërmarrje, ose 0.9% e ndërmarrjeve të regjistruara, 20 deri 249 të punësuar kanë 10 ndërmarrje, ose 0.5% e ndërmarrjeve të regjistruara, ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, mbizotëron Prishtina me 643 ndërmarrje të regjistruara (33.5%), Prizreni 147 (7.7%), Ferizaj 146 (7.6%), Gjilani 117 (6.1%), Peja 116 (6.0%), Mitrovica me 75 ndërmarrje të regjistruara (3.9%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.