Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli: Për Keqardhje Deklarata e Ambasadorit Rus

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili sipas raportimeve të mediave, ndër të tjera, kishte deklaruar se sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë.

Pacolli e cilëson për keqardhje që një titullar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tillla, që nuk i kontribojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perendimor.

“Rusia, në vazhdimësi ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtarë të Kosovës. Mbase ka kaluar një kohë pak sa e gjatë –rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzojë këtë rast për t’i ri-kujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese…’”, thuhet në reagimin e Pacollit.

“Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krjimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtarë”, theksohet në fund të reagimit të Pacollit. /21Media