Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli: Daçiq ta Lërë Dekonstruktivitetin, ta Njohë Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj komenteve të homologut të tij serb lidhur me njohjet dhe mosnjohjet e Kosovës nga vende të ndryshme botërore.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli i ka bërë thirrje Ivica Daçiqit të bëjë diçka konstruktive që do t’i hynte në punë dikujt.

Zëvendëskryeministri i Kosovës i ka bërë thirrje ministrit të Jashtëm serb që t’i bashkëngjitet botës së civilizuar dhe konstruktive dhe ta njohë Kosovën.

Ky është komenti i plotë i Behgjet Pacollit:

“Si përgjigje ndaj ironizimit të Daçiqit rreth vendeve që e kanë njohur apo nuk e kanë njohur Kosovën. Mundem vetëm të them se do të ishte ndonjë mrekulli nëse Daçiqi do të bënte diçka konstruktive, që do ti hynte dikujt ne pune. Si duket, ai nuk ka çka të bëj, e lavdërohet me destruktivitetin e tij. Daçiq duhet ta di se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, është e faktorizuar si shtet dhe 2/3 e botës e njohin këtë realitet, për çka e ftoj edhe Daçiqin që ti bashkangjitet botës së civilizuar dhe konstruktive.”