ZRRE

OST- KOSTT bëhet operator i pavarur i transmetimit të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka marrë vendimin final për certifikimin e  Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST- KOSTT). Vendimi është votuar me votë unanime.

Pas këtij vendimi OST- KOSTT është edhe zyrtarisht si operator i pavarur i transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

“Ky vendim vjen pas nxjerrjes së Opinionit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE), në vendimin preliminar të Bordit të ZRRE të marrë me 24 shtator 2018, me të cilin Bordi kishte vendosur se OST-KOSTT përmbushë kriteret për t’u certifikuar si Operator i pavarur i Transmetimit të energjisë elektrike” ka njoftuar ZRRE.

“Me këtë vendim, ZRRE ka vërtetuar se OST, realizon funksionet e tij në mënyrë të pavarur nga çfarëdo biznesi tjetër në sektorin e energjisë dhe rrjedhimisht ofron qasje të lirë dhe jodiskriminuese në rrjetin e transmetimit për të gjithë operatorët e tregut të lirë që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës” thuhet tutje në njoftimin e ZRRE.

Sipas Zyrës Rregullatorit për Energji, me anë të këtij vendimi, ky institucion ka përmbushur obligimet që ka pasur.

“Me këtë proces, ZRRE-ja ka përmbushur një nga obligimet më sfiduese që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, duke dëshmuar edhe njëherë se është e përkushtuar në përmbushjen e funksioneve të sajë, për të siguruar një funksionim të duhur të tregut të lirë të energjisë elektrike në përputhje me direktivat e BE-së për energji dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë” ka njoftuar ZRRE.