Indeksi i reformës së transparencës komunale i publikuar nga OJQ "Ec ma Ndryshe" - Foto: Facebook

OJQ 'Ec Ma Ndryshe' prezanton komunat më transparente

Organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” ka publikuar indeksin e reformës së transparencës komunale, ku kanë pasqyruar rezultatet për 13 grupe indikatorësh relevantë që tregojnë nivelin e transparencës gjatë vitit 2017 për disa komuna, përfshi këtu komunat më të mëdha në vend.

Sipas këtij indeksi, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës prijnë sa i përket transparencës me 68% përkatësisht, me 64% të vlerësimit.

Pas tyre vijnë Komuna e Gjilanit me 56%, e Pejës me 54%, Mitrovica me 48%, Prizreni 42%, Ferizaj 41%.

Ndërsa tek komunat më të vogla, prin Rahoveci me 53%, pastaj Vushtrria me 51%, Malisheva 46%, Suhareka 43%, Klina 39%, Shtërpca 37%, Dragashi 32% dhe Mamusha me 26%.

Në këtë raport si problematikë është veçuar edhe çështja e ueb-faqeve të komunave.

“Çështja e mosfunksionimit të kohëpaskohshëm të ueb faqeve zyrtare të komunave, sidomos në pjesën e fundit të vitit ka paraqitur një sfidë për transparencën e pushtetit lokal. Në të njëjtën kohë, viti 2017 ka qenë sfidues për transparencën edhe shkaku i zgjedhjeve komunale, që ka ndikuar negativisht në këtë aspekt sidomos në pjesën e dytë të vitit”, thuhet në komunikatën e OJQ-së “Ec ma ndryshe”.

Sipas kësaj organizate sfidat kryesore të komunës mbeten luftimi i keqpërdorimeve, prokurimi publik, menaxhimi i pronës komunale, planifikimi urban dhe monitorimi i projekteve urbanistike.

Raporti i Ec ma Ndryshe, Foto: Facebook