Valon Xhabali. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Ec ma Ndryshe' tregon arsyet pse po i dështojnë Komunës së Prizrenit projektet e turizmit

Valon Xhabali nga organizata “Ec ma Ndryshe” ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, konsultim me shoqërinë civile, në mënyrë që zbatimi i projekteve në terren të mos dështojë.

Në përballje me Jeta Xharrën në serinë e debateve “Jeta në Komunë”, kryetari i Prizrenit është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të parealizuara deri më sot.

Kërkesa e Valon Xhabalit nga “Ec ma ndryshe” ka ardhur duke iu referuar gjetjeve të KALLXO.com se dy projekte të turizmit “Kajaku” dhe “Auto Kamp” vetëm në ditën e përurimit kanë qenë funksionale, por ditë më vonë këto projekte kanë dështuar të zbatohen dhe të shfrytëzohen nga qytetarët.

“Arsyet pse këto investime kohëve të fundit projekte të turizmit po dështojnë dhe nuk janë të qëndrueshme është sepse paraprakisht nuk ka konsultime dhe bashkëpunim me organizata ose me komunitetin që merret me këto aktivitete“, ka thënë Xhabali.

Sipas Xhabalit, drejtoria e Turizmit nuk duhet të merret me zbatimin e projektit në terren, por se Drejtoria ka buxhetin dhe duhet në bazë të konsultimeve të japë buxhetin jashtë Drejtorisë, dhe në raste kur dështon një projekt si rasti i Teleferikut, të njëjtat para të drejtohen në projekte tjera.

Gjithashtu Valon Xhabali ka kërkuar nga kryetari Haskuka që Zyra e Prokurimit të vazhdojë traditën e mëhershme të raportimit të rregullt para kryetarit dhe para Kuvendin Komunal dhe asamblistëve, kjo pasi që i njëjti shfaqi kritika ndaj Haskukës që nuk po i kërkon llogari Zyrës së Prokurimit që merret me tenderët e Komunës.

Të ftuar në studio pos kryetari të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka janë: Sherife Balaj- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Haziz Hodaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Mimoza Bushrani – Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Baldedaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Valon Xhabali- EC MA NDRYSHE, ndërsa në  ZOOM janë  Esen Kajmakçi – Përfaqësuese e grave në shoqatën e bizneseve ESNAF dhe Dafina Alishani, Lëvizja Vetëvendosje.