"Ec Ma Ndryshe" prezanton hulumtimin "Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak"

“Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak?!” është hulumtimi që solli në pah nevojën që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe organet e tjera kompetente të përmirësojnë kornizën ligjore në aspektin e rregullimit hapësinor.

Ky hulumtim i realizuar në 20 komuna, ka sjellë për publikun një analizë të legjislacionit të përdorur nga ana e Ministrisë për Planifikim Hapësinor që nga viti 2003 e deri më sot.

Përmes raportit të tyre ata kanë treguar përparësitë dhe mangësitë që kanë ligjet e planifikimit hapsinor të vitit 2003 dhe 2013 dhe po ashtu sfidat që ka në zbatim Ligji për Planifikim Hapësinor i vitit 2013.

Të njëjtit në fund të raportit kanë dhënë konkluzionet dhe disa rekomandime për përmirësimin e gjendjes.

Pjesëmarrës në panelin diskutues të këtij raporti ishin ministri i MPHI-së, Liburn Aliu; drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi; përfaqësuesja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Albena Reshitaj dhe arkitekti, Shkëlqim Daci.

“Përmirësimi i kornizës ligjore është i domosdoshëm”, ka thënë autorja e hulumtimit, Lumnije Gashi.

Sipas saj, diçka e tillë duhet të bëhet qoftë përmes hartimit të ligjit të ri apo rishikimit të ligjit aktual dhe akteve nën-ligjore.

Në prezantimin e “Ec Ma Ndryshe” hartimi i një ligji të ri do ishte zgjidhja më e preferuar, ndërsa rekomandimi i dytë, pra rishikimi i ligjit aktual dhe i akteve nën-ligjore sipas tyre është një zgjidhje afatshkurtër.

Tutje i pari i MMPHI-së, Liburn Aliu tha se nuk mund të vlerësohet nëse ligji që e kemi është në rregull ose jo, kjo pasi që mungon një mekanizëm i tillë.

“Nuk kemi mekanizëm që e vlerëson se reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës është në qorrsokak”, tha ai.

I njëjti tha se është e dyshimtë mënyra se si u krijua kjo reformë, duke shtuar se Instituti i Planifikimit Hapësinor duhet të ngritet dhe të bëhet mekanizmi që bën ndryshime duke mos u ndikuar nga politika.

“Ta bëjmë Institutin që ata me na udhëheqë neve (Ministrinë dhe organet tjera kompetente)”, tha Aliu duke shtuar se nuk mjafton që të merret një ekspert as i jashtëm e as i brendshëm për të dalë nga gjendja.

Sipas tij, problem në çështjen e planifikimit hapësinor është shpronësimi i tokave, ai tha se komunat nuk i kanë paratë e mjaftueshme për të bërë shpronësime.

Sipas përfaqësueses së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Albena Reshitaj, nga ky takim duhet të fillohet dhe të ngritet zëri që të bëhet përmirësimi i gjendjes.

“Duhet të kërkohet llogaridhënie për punët që janë bërë ose nuk janë bërë në të kaluarën, mirëpo duhet që në të njëjtën kohë të punohet për të ardhmen”, tha ajo.

Në anën tjetër drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se rekomandimet që janë dhënë nga ana e raportit të “Ec Ma Ndryshe” janë rekomandimet e njëjta si ato të komunave.

“Niveli qendror duhet të ketë parasysh që nëse i shtohet komunës një kompetencë e re duhet që atyre të ju shtohen edhe mjetet financiare”, tha Ibrahimi.

I njëjti tha se ligjet në Kosovë në këtë sferë duhet të jenë të thjeshta dhe se nuk duhet që ligjet të jenë të gjata 100 faqe dhe të kenë akte nën-ligjore të tjera.

Raportin e plotë të hulumtimit “Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak?!” e gjeni këtu.