Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Realizohet harta e trashëgimisë moderne të Prishtinës

“Ec ma ndryshe” dhe Iniciativa për Vlerësimin, Mbrojtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Moderne në Kosovë “MODERNe”, kanë realizuar hartën interaktive ‘’Ecje në trashëgiminë moderne të Prishtinës’’.

Kjo hartë është realizuar në kuadër të projektit “MODERNIZMI NË PRISHTINË – Shenjëzimi dhe promovimi i Arkitekturës Moderne në Prishtinë’’.

Harta pasqyron vendndodhjen e secilit prej monumenteve të kësaj trashëgimie dhe informacione plotësuese për to.

Trashëgimia moderne në Prishtinë (1960 – 1990) numëron një numër të konsiderueshëm të shembujve të mirë të arkitekturës moderne, përcjellur me vlera kulturore, sociale dhe ekonomike që stimuluan dhe shoqëruan ndërtimin e tyre.

Përmes një njoftimi në Facebook, “Ec ma ndryshe” dhe “MODERNe”, konsiderojnë se, pas viteve ’99 në Kosovë, kryesisht të ndikuara nga procesi i privatizimit, një numër i konsiderueshëm i objekteve të trashëgimisë moderne u degraduan dhe pjesa e mbetur vazhdon të jetë në rrezik.

“’Ecje në trashëgiminë moderne të Prishtinës’ synon të stimulojnë një ‘ecje virtuale’ në një numër të caktuar të objekteve të arkitekturës moderne në Prishtinë, përmes shpalosjes së shkurtër të kualiteteve të tyre estetike, funksionale, përmbajtjesore, sociale e kulturore”, thuhet në njoftimin në Facebook.