Ndotja Liqenit të Batllavës me produkte të plastikës. Foto: Komuna e Podujevës.

Cilësia e dobët e ajrit dhe ujit vazhdon të mbetet problem në Kosovë

Cilësia e ajrit në territorin e Kosovës ka tejkaluar vlerat maksimale të lejuara dhe po ashtu cilësia e ujërave sipërfaqësore vazhdon të jetë e ndikuar nga ndotja kryesisht prej shkarkimtit të ujërave urbane dhe industriale, përdorimi i pesticideve në bujqësi, si dhe dëmtimit të shtretërve të lumenjve.

Është konstatuar se ka pasur rritje të sipërfaqeve me zona urbane, industriale e komerciale dhe atyre për nxjerrjen e mineraleve, si dhe humbje të sipërfaqeve me toka bujqësore, kullotave dhe pyjve. E njëjta ka rezultuar edhe edhe për zonat e gjelbra dhe ato rekreative.

Mungesa e menagjimit efikas të mbeturinave të cilat nuk kanë një sistem të organizuar për ndarjen dhe reciklimin e mbeturinave është një tjetër faktor mangësie për mjedisin.

Këto gjetje janë publikuar në raportin i organizatës “Ec Ma Ndryshe” në sektorët e mjedisit në shtatë komuna: Prizren, Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Gjakovë, për vitin 2021.

“Menaxhimi i deponive sanitare të Kosovës nuk është i mirë dhe ndër problemet kryesore janë mosfunksionimi i sistemeve të pompimit të ujërave të deponisë, kompresimi jo i mirë i mbeturinave të deponuara dhe mbulimi jo i mjaftueshëm i mbeturinave. Është evidentuar po ashtu edhe numër i madh i deponive ilegale në tërë territorin e Kosovës edhe pse ka pasur një progres të vogël në vitin 2020 (1489 në vitin 2019, dhe 1189 në vitin 2020)”, thuhet tutje në raport.

Në bazë të të dhënave që janë bërë në kuadër të hulumtimit masat për mbrojtjen e mjedisit nga organet përgjegjëse janë simbolike.

Drejtoria për Vlerësimin e Gjendjes së Mjedisit (AMMK-MMPHI) ka bërë të ditur se numri i angazhuar i shërbyesve publikë për kryerjen e detyrave të përcaktuara me ligj nuk është i mjaftueshëm.

Po ashtu në raport  janë dhënë disa rekomandime për mënyrën se si mund të përmirësohet gjendja mjedisore ku thuhet që kjo çështje duhet të merret prioritare, të shtohen aktivitete inspektuese dhe mbikqyrëse për mbrojtjen e natyrës, të sigurohet nga organet shtetërore  mekanizma të qëndrueshëm të financimit për projektet mjedisore, të ndërtohet një sistem i kompletuar i informimit mjedisor, të shtohen përpjekjet për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të përmirësohet bashkëpunimi me shoqërinë civile.

Ky raport është prezantuar sot përmes një konference për media nga organizata “Ec ma Ndryshe”, dhe është mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) përmes programit të saj “Human Rightivism”.