Pamje nga nënshkrimi i memorandumit. Foto QRTK- Prizren

Arrihet marrëveshja për hartimin e platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe OJQ “EC Ma Ndryshe” kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi për hartimin e platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit.

Përmes një komunikatë për media, QRTK në Prizren ka njoftuar se drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha dhe drejtori ekzekutiv i OJQ EC “Ma Ndryshe”, Valon Xhabali, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për realizimin e aktiviteteve në fushën e trashëgimisë kulturore.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe hartimi i platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit.

Sipas komunikatës, hartimi i platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit do të pasqyrojë gjendjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur, ku do të përfshihen edhe informatat zyrtare për asetet dhe vlerat e ndryshme që posedon kjo Qendër Historike.

“Të dhënat e kësaj platforme do të ndërtohen mbi të dhënat e grumbulluara nga viti 2017 dhe të prezantuara në Planin e Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit, që është miratuar në vitin 2020”, thuhet në komunikatë.

Po sipas komunikatës, marrëveshja e arritur sot vjen si  rrjedhojë e bashkëpunimeve paraprake në mes të dy palëve për të siguruar trajtimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në territorin e komunës së Prizrenit.

“Me këtë marrëveshje palët kanë rënë dakord që të zgjerojnë aktivitetet e tyre për të adresuar dhe përmbushur objektivat e përbashkëta e reciproke, konkretisht me hartimin e Platformës digjitale të Qendrës Historike të Prizrenit si dhe bashkërendimin e aktiviteteve për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane për këtë vit”, thuhet në komunikatë.

Bashkëpunimi do të përfshijë edhe bashkërendimin e aktiviteteve për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane për vitin 2021, të cilat do të zhvillohen gjatë muajit shtator të këtij viti.