
Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com
Nuk Mbahet Seanca në Rastin e Policit të Autostradës
Seanca gjyqësore ku i akuzuar është polici Lulzim Gashi nuk është mbajtur për shkak se ka munguar prokurorja e rastit, Besa Krajku.
Kryetari i trupit gjykues, Elmaz Zenuni, njoftoi se prokurorja e rastit mungon për shkak se ishte e angazhuar në një rast tjetër me paraburgim dhe se rastet e tilla kanë përparësi.
Në seancë përpos prokurores Krajku i pranishëm nuk ishte as avokati mbrojtës i të akuzuarit, Asman Hoxha, i cili e kishte njoftuar Gjykatën se ndodhet jashtë vendit.
Prandaj, seanca është shtyrë për një datë tjetër të pacaktuar.
Aktakuza e Prokurorisë në Prishtinë e ngarkon Lulzim Gashin se në cilësinë e personit zyrtar, polic në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave, me qëllim që personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore, ka bërë ndërhyrje në tiketat për kundërvajtje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, polici Gashi ka ndryshuar destinimin e tiketave, nga dënimi për gjykatë, në dënim në të holla prej 35 euro.