Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Togeri i Policisë del në gjyq për akuzat për fshehje të kërcënimit

Një epror i Policisë së Kosovës ka dalë të premten para gjyqit në Prishtinë për t’u përgjigjur në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ejup Mehani, toger i Policisë, akuzohet se më 12 shkurt të këtij viti, ka keqpërdorur pozitën me qëllim që t’ua shkelë të drejtat të dëmtuarve Qazim Krasniqi dhe Remzi Krasniqi.

Sipas aktakuzës, Mehani në cilësinë e Udhëheqësit të Njësisë reaguese në Stavionin Policor “Veriu” në Prishtinë qëllimisht nuk e ka oërmnbushur detyrën e tij dhe nuk kishte hapur rast lidhur me një kanosje të cilën e kishin paraqitur të dëmtuarit Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi.

Aktakuza specifikon se fillimisht Remzi Krasniqi kishte shkuar në stacion policor për të lajmëruar rastin e kanosjes, të cilin ai pretendonte se ia kishte bërë një person me inicialet N.S. por Remzi Krasniqi ishte udhëzuar nga rreshteri policor Ahmet Isufi që të vinte vëllai i tij Qazim Krasniqi për të dhënë deklaratë pasi që ai qenka kanosur.

Aktakuza sqaron se pas disa minutave në Stacionin Policor kishte arritur i dëmtuari Qazim Krasniqi i cili ishte takuar me zyrtarin policor Ejup Mehani.

Aktakuza thotë se vëllezërit Krasniqi i kishin shpjeguar togerit se personi N.S. i kishte kanosur, duke iu thënë fjalë kërcënuese: “Nuk më ka mbetë gjë tjetër vetëm se me ju gjujt bombën” dhe për këtë i pandehuri Ejup Mehani nuk kishte hapur rast dhe nuk kishte evidentuar ndonjë raport të policisë përkundër faktit se të dëmtuarit Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi e kishin lajmëruar rastin e kanosjes me mjet të rrezikshëm të cilin e kishte bërë personi N.S.

Në fjalën e tij hyrëse i pandehuri u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.

Në pyetjen e Kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Nushe Kukaj- Mekaj lidhur me mbajtjen e seancës së shqyrtimit te dytë, mbrojtësi të akuzuarit u deklarua se nuk ka nevojë të mbahet seanca, dhe se kundërshtimet e tyre do të paraqiten me shkrim.