Gjykimi i Fadil Surkishit - Foto: KALLXO.com

Gjykata nuk e mbyll seancën në rastin e oficerit të Policisë, Fadil Surkishi

Në gjykimin ndaj togerit të Policisë, Fadil Surkishi, i akuzuar për ndryshimin e raporteve të vendit të ngjarjes duke keqpërdorur detyrën e shefit operativ në Stacionin Policor në Podujevë, u kërkua të largohet publiku.

Shkak për të mbyllur seancën ishin përmendja e emrave të komandantit të Stacionit Policor në Podujeve, Isak Ejupi dhe rreshterit Fisnik Veseli.

Përmendja e komandantit Isak Ejupi dhe rreshterit Fisnik Veselit të Stacionit të Policisë në Podujevë e shtyu avokatin Visar Rrecaj të kërkojë që të mbyllet seanca ndaj të akuzuarit Fadil Surkishi.

Mirëpo avokati Rrecaj nuk arriti ta arsyetojë mjaftueshëm propozimin e tij andaj gjykatësi Shashivar Hoti i tha se seanca nuk mund të mbyllet dhe shtoi  se janë për të zbardhur të vërtetën, për t’i nxjerrë sendet në tavolinë dhe të zbulohen të gjitha ata që shpërdorojnë detyrën.

Togeri Fadil Surkishi në mbrojtjen e tij tha se ajo që ka ndodhur është fabrikim i komandantit Isak  Ejupit dhe Fisnik Veselit.

“Raportet e të dyve janë jo të mira në  jetën private me Xhavit Avdiun’’, tha ai.

Meqenëse i akuzuari Fadil Surkishi kishte dhënë një pjesë të mbrojtjes në seancën e kaluar, gjatë të cilës kishte pretenduar se raportet janë plotësuar për shkak se policët nuk ishin profesionistë atëherë nga gjykatësi u pyet se a kanë dhënë përgjegjësi policët për përgatitjen joprofesionale të raportit.

I akuzuari tha se nuk e dinte këtë.

Dëshmitari: E ndërrova raportin pasi u ndjeva i kërcënuar nga togeri

Po ashtu, i akuzuari Surkishi deklaroi se ‘’fillimisht Fisnik Veseli s’ka qenë i autorizuar të kryente vendshikimin e ngjarjes, “sepse ai ishte praktikant, polic që s’e dinte punën, ishte Ii gjeneratës së parë”.

Atëherë u pyet nga gjykatësi Shashivar Hoti se qysh e ke kalu një polic të gjeneratës së parë deri në vitin 2013, kur ai nuk e di punën e Policisë.

Me këtë rast, togeri Fadil Surkishi deklaroi se ka dhënë mendim që ai mos të merret me palë asnjëherë.

Tutje, i akuzuari tha se komandanti i stacionit Isak Ejupi ka dhënë deklarata të ndryshme edhe në IPK, edhe para kryetarit të trupit gjykues, se ai vetë e ka nënshkruar raportin pas 40 ditësh. “Arsyen e di veç ai e në bashkëpunim me rreshterin Florim Hyseni e kanë thirrë palën ankuese me ba ankesë kundër meje. Në atë kohë lënda ka qenë në prokurori nëse jo edhe në gjykatë’’, theksoi i pandehuri.

E kur u pyet se pse nuk e kishte  dërguar kallëzmin penal joprofesional në Prokurori pasi që me hetime merret prokurori, i akuzuari Fadil Surkishi deklaroi se nuk u lejohet t’i dorëzojnë lëndët e mangëta në Prokurori.

Fadil Surkishi akuzohet se në periudhën 2013-2014, si shef i Operativës në Stacionin Policor në Podujevë ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ose që seriozisht t’i shkelë të drejtat e personit tjetër.

Aktakuza ngarkon Surkishin se ka ndikuar në dy raste të aksidenteve të trafikut.

Sipas aktakuzës aksidenti i pari kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, komuna e Podujevës, ndërsa i dyti kishte ndodhur në rr. “Skënderbeu” në Podujevë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Surkishi akuzohet se për këto dy raste ka ndikuar te zyrtari policor – dëshmitari Behxhet Gashi, të cilin e ka detyruar që raportin e parë të aksidentit ta ndryshojë në detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes, edhe pse dëshmitari Behxhet Gashi nuk është pajtuar dhe mospajtimin e ka treguar përmes një raporti.

Në seancën e kaluar kishte filluar të rrëfehej para gjykatës se si ishte puna e dy raporteve për ndryshimin e të cilave akuzohet.

https://kallxo.com/uncategorized/togeri-i-akuzuar-per-nderhyrje-ne-dy-raporte-te-aksidenteve-thote-se-e-beri-me-urdher-te-eprorit-te-tij/

www.kallxo.com