Gjakovë, dënohet për fotografim të votës më 6 tetor

Lulzim Gashi, i akuzuar për veprën penale të cenimit të fshehtësisë së votimit dhe asgjësimit të dokumenteve të votimit, është dënuar me kusht nga gjykata e Gjakovës.

Dënimi i shqiptuar ndaj tij është 10 muaj burgim me kusht, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej 1 viti i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Në seancën fillestare të mbajtur të premten, i akuzuari Lulzim Gashi e kishte pranuar fajin.

Prokuroria pretendon se Lulzim Gashi, në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 6 tetor, në shkollën “Isa Boletini, me telefon ka bërë fotografimin e votës.

Aktakuza shpjegon se kur anëtarët e komisionit zgjedhor e kishin vërejtur, e kishin ndaluar atë për të mos e hedhur votën në kutinë e votimit.

Më pas i akuzuari fletëvotimin e ka dëmtuar dhe shqyer dhe më pas e ka hedhur në tokë dhe pasi ka dalë nga qendra e votimit është arrestuar nga ana e policisë.