Burg me kusht për policin e akuzuar se ndikoi në rastet e aksidenteve

Fadil Surkishi, shef i operativës së policisë në Podujevë, u dënua me burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata e Prishtinës, sot e shpalli fajtor togerin për keqpërdorim të detyrës zyrtare  dhe e dënoi me 6 muaj burgim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.

Fadil Surkishi akuzohet se në periudhën 2013-2014, si shef i Operativës në Stacionin Policor në Podujevë ka ndikuar në dy raste të aksidenteve të trafikut.

Sipas aktakuzës, aksidenti i pari kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, të Podujevës, ndërsa i dyti kishte ndodhur në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë

Gjithnjë sipas aktakuzës, Surkishi në këto dy raste ka ndikuar te zyrtari policor – dëshmitari Behxhet Gashi, të cilin e ka detyruar që raportin e parë të aksidentit ta ndryshojë në detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes, edhe pse dëshmitari Behxhet Gashi nuk është pajtuar dhe mospajtimin e ka treguar përmes një raporti.

Surkishi me datën 3 janar ishte deklaruar i pafajshëm para gjykatës.

Në këtë gjykim kanë deshtuar të mbahen 5 seanca gjyqësore një herë për shkak të mungesës së të akuzuarit e herëve të tjera per shkak të mungesës se gjykatësit dhe prokurores se rastit.

Gjykimi ndaj togerit të policisë Fadil Surkishi ka zgjatur 739 ditë ose 2 vite e 9 ditë.

Dëshmitari: E ndërrova raportin pasi u ndjeva i kërcënuar nga togeri