Foto: Kallxo.com

Rrahja e para 14 viteve, ish-polici ankohet në gjykatë

Ish-polici Mentor Salihu i akuzuar se me armë zyrtare kishte goditur e rrahur me grushte të dëmtuarin Safet Zeqiri, u deklarua se ndihet i pafajshëm të hënën në gjykatën e Prishtinës.

Sipas të akuzuarit Mentor Salihu në vitin 2018 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ai ishte njoftuar se kjo lëndë është mbyllur, ai madje tha se në vitin 2018 kishte nxjerrë certifikatë se nuk është nën hetime.

“Si është e mundur me u aktivizu një lëndë pas 15 viteve, apo mos është dikush në prapaskenë. Me biznesin që unë kam hapur i kam penguar shumë personave” tha ai.

Të akuzuar në këtë rast janë Mentor Salihu dhe Petrit Salihu.

Ata akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe lëndim të lehtë trupor.

Prokuroria i vë në barrë se në qershor të vitit 2005 dy të akuzuarit, me revolet e tyre zyrtare të policisë kanë kërcënuar Safet Zeqirin duke ia drejtuar armët atij dhe pas kësaj e kanë rrahur duke e goditur me revole në kokë dhe me grushte nëpër pjesë të ndryshme të trupit.

Aktakuza thotë se kjo kishte ndodhur pasi i dëmtuari Safet Zeqiri u kishte tërhequr vërejtjen dy të pandehurve që të ndalnin zhurmën e shkaktuar nga të pandehurit me të dashurat e tyre.