Një Projektligj Konfuz Kthehet Mbrapsht

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit vlerësuan se Projektligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative i mungon sistemimi, prandaj propozuan rishikim të tij.

Ata u pajtuan që ky projektligj t’i kthehet komisionit funksional, Komisionit për Administratë Publike.

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Selvije Halimi konsideroi se në këtë projektligj me futjen e parimeve të reja, shumë çështje janë shumëfishuar.

“Pajtohem se ligjit i mungon sistemimi, koherenca, i mungon qartësimi i nocioneve. Futja e nocioneve të reja gjegjësisht parimeve nuk është shumë shqetësuese sepse shoqëria dhe proceset evoluojnë dhe gjithherë tentohet që të gjenden parime më të mira të cilat do t’i ndihmojnë palës në procedurën administrative,” tha Halimi.

Armend Zemaj tha se po vërehen pasojat e mos funksionimit të seancave të rregullta plenare të kuvendit në hartimin e legjislacionit.

“Ligji duhet me u kthy te sponsorisuesi ose te komisioni, komisioni le të vendos se si e procedon, nëse komisioni mendon që bashkërisht në dikasterin e Ministrisë së Drejtësisë ka kohë të mjaftueshme le të kërkon, mundet me angazhu ekspertizë,” shtoi ai.

Gjatë kësaj mbledhje u miratuan Shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit funksional në Projektligjin për Siguri në Punë në Veprimtarinë Minerare, dhe  Shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit funksional në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë.

Ky komision ka përfunduar projektligjin për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar dhe projektligjin për mjekësinë ligjore, të cilat sipas zëvendëskryetares janë të gatshme për seancë plenare.