Gjetja arkeologjike në Prizren e mbuluar nga bora - Foto: "EC Ma Ndryshe"

Ngricat Rrezikojnë Gjetjet Arkeologjike në Prizren

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka ngritur shqetësimin rreth rrezikut të dëmtimit nga ngricat të gjetjeve arkeologjike në Sheshin e Lidhjes në Prizren.

Sipas OJQ-së, lokacioni arkeologjik edhe gjatë këtij dimri ka mbetur pa masa mbrojtëse kundër ngricave. “Kjo gjetje, ka mbetur e hapur prej vitit 2015, duke iu nënshtruar kushteve të jashtme, ndërkohë që ditëve të fundit është mbuluar nga bora dhe moti i ftohtë përkatësisht ngricat”, thekson ajo.

“EC Ma Ndryshe” njofton se Instituti Arkeologjik i Kosovës gjatë vitit 2016 ka vazhduar gërmimet me karakter shpëtimi në Sheshin e Lidhjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një mbetje arkitektonike të periudhës klasike romake, përkatësisht të shekullit II-III. Njëkohësisht ka paralajmëruar mbulimin provizor të monumentit për ta mbrojtur gjatë stinës së dimrit.

Bazuar në vëzhgimin në terren, OJQ-ja konstaton se në këtë hapësirë nuk është vërejtur zbatimi i ndonjë mase mbrojtëse kundër borës e ngricave.

“EC Ma Ndryshe” përkujton se edhe një vit më parë pat reaguar, duke kërkuar aplikimin e masave mbrojtëse në këtë lokalitet arkeologjik, i cili qe zbuluar në fund të vitit 2014, gjatë punimeve infrastrukturore në Sheshin e Lidhjes.

Vitin e kaluar si pasojë e motit të ftohtë patën shpërthyer gypat e ujit që kalojnë nëpër këtë hapësirë, duke mbuluar kështu me ujë pjesë të caktuara të lokalitetit.

Prandaj, organizata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë vlerë të trashëgimisë kulturore ta trajtojnë me seriozitet, të ndërmarrin veprime adekuate për mbrojtje gjatë të ftohtit, dhe në kohën më të shkurtër të fillojë trajtimi profesional i lokalitetit konform legjislacionit dhe praktikave të mira për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, në mënyrë që ai të vihet në shërbim të publikut dhe vizitorëve të Prizrenit.

“Gazeta Jeta në Kosovë“ kishte publikuar më 2015 një hulumtim, sipas të cilit pjesë të Qendrës Historike të Prizrenit ishin shndërruar kundërligjshëm në zona biznesi.

Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë

Ndërsa, në emisionin “Jeta në Kosovë“ janë trajtuar projektligjet për qendrën historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe.

Projektligjet për qendrën historike të Prizrenit dhe Hoçën e Madhe