Foto: RTS/Youtube

Nëntë të lënduar në Serbi në aksidentin e autobusit nga Kosova

Një autobus me pasagjerë kosovarë është aksidentuar në rrugët e Serbisë ku ka edhe të lënduar.

Nga zyra e Kosovës në Beograd thonë se tre qytetarë kosovarë janë të lënduar rëndë, ndërsa të tjerët janë liruar nga spitali.

“Zyra jonë në Beograd është duke u marrë intensivisht dhe është në shërbim të qytetarëve të aksidentuar. Deri me tani tre qytetarë janë të lënduar më rëndë, ndërsa pjesa tjetër pas trajtimit me ndihmë të parë janë liruar nga spitali”, tha për KALLXO.com, Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) raporton se nëntë persona janë lënduar afër Kurshumlisë në Serbi, kur një autobus i një kompanie nga Suhareka ka dalë nga rruga dhe është rrotulluar.

Televizioni publik serb RTS bën të ditur se autobusi po qarkullonte në relacionin Lubjanë- Prishtinë.

Sipas këtij televizioni, aksidenti ndodhi në orën 4: 50 të mëngjesit, ndërsa të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Prokuples.

RTS tregon se tre persona janë ndaluar për shërim të mëtutjeshëm, ndërsa të tjerët pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të kompanisë “R-Gashi” nga Suhareka, autobusi i të cilës është aksidentuar, por personi kontaktues e ka mbyllur telefonin.

 

Foto: RTS/Youtube